Pas transmetimit të kronikave investigative nga Fiks Fare, Policia Bashkiake e Tiranës ndërhyri për të liruar hapësirat publike përreth dy shkollave 9-vjeçare në kryeqytet, “Kiço Blushi” dhe “At Zef Pllumi”, ku prindër dhe nxënës kishin ngritur shqetësime për mungesë sigurie dhe parkime të paligjshme.
Javën e kaluar, Fiks Fare publikoi dy video ku prindërit dhe fëmijët e këtyre shkollave tregonin rrezikun me të cilin përballeshin çdo ditë, për shkak të mungesës së trotuareve dhe makinave të parkuara para hyrjeve të shkollave.
Në shkollën “Kiço Blushi”, automjetet kishin zënë çdo hapësirë përreth, duke detyruar fëmijët të ecnin mes rrugës për të hyrë në shkollë. Prindërit dhe rojet e institucionit arsimor pohuan se kjo situatë kishte nisur që nga ndërtimi i shkollës në vitin 2022.
Menjëherë pas denoncimit, Fiks Fare njoftoi Policinë e Qarkullimit dhe Policinë Bashkiake të Tiranës. Forcat e qarkullimit rrugor konstatuan rastin dhe njoftuan se ndërhyrja duhej bërë nga Policia Bashkiake, e cila reagoi menjëherë duke vendosur gjoba dhe duke paralajmëruar heqjen e automjeteve me karroatrrec. Gjithashtu, u njoftua se në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të ndërtohej trotuar dhe do të vendosej sinjalistikë për sigurinë e fëmijëve.
Në shkollën “At Zef Pllumi”, situata ishte e ngjashme. Hyrja kryesore e shkollës ishte e bllokuar nga makinat e parkuara. Pas raportimit të Fiks Fare, Policia Bashkiake ndërhyri menjëherë në terren, vendosi gjoba për drejtuesit e mjeteve dhe nisi bashkëpunimin me Drejtorinë e Planifikimit dhe Ndriçimit Publik për vendosjen e kufizuesve të parkimit.
Një javë më vonë, gazetarja e Fiks Fare u rikthye në të dy shkollat dhe konstatoi se situata kishte ndryshuar dukshëm.
Në shkollën “Kiço Blushi” kishte nisur ndërtimi i trotuarit, ndërsa në “At Zef Pllumi” nuk kishte më makina të parkuara para portës së shkollës.
Prindërit falënderuan publikisht Fiks Fare dhe ndërhyrjen e institucioneve, duke theksuar se fëmijët tashmë mund të shkojnë më të sigurt në shkollë.
Top Channel