Festivali “Metrofest”/ Edicioni i nëntë në Teatrin Metropol, i dedikuar veprave shqiptare

07/11/2025 13:34

Në Teatrin Metropol po zhvillohet edicioni i nëntë i Metrofest, një festival dedikuar veprave shqiptare.

Pjesë e festivalit të këtij viti janë tre produksione të veçanta që ndërthurin traditën, simbolikën dhe realitetin shqiptar. Në një bashkëpunim me Universitetin e Arteve, në skenë ngjiten studentë që janë në hapat e parë të karrierës.

Në teatër do të vendoset “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i Ismail Kadaresë, i risjellë përmes idesë së regjisores së re, Erina Lazi.

“Është përgjegjësi, por edhe kënaqësi shumë e madhe. Inspirimi për këtë vepër nuk ka qenë rastësor, duke qenë se ne si regjisorë kemi një detyrë që të përcjellim një mesazh te publiku. Dhe po të shohim, ngado që të kthejmë kokën sot, kudo nëpër botë ka një moment ku gjakrat janë të nxehur dhe kudo ka luftë. Gjenerali tregon se çfarë mbetet pas luftës, mbeten vetëm eshtra dhe asnjë më shumë. Është një mesazh dhe një lloj pasqyre për t’i treguar botës ‘frenoni pak, sepse kjo është ajo që ndodh gjithmonë pas luftës”, thotë regjisorja.

Rreth 20 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, një gjeneral italian merr një mision të ndershëm e të dhimbshëm: të gjejë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Shqipërinë e izoluar. Por kërkimi për Kolonelin Z, një emër i njollosur nga mizoritë  e zhyt gjeneralin në një përballje të errët me të shkuarën. Eshtrat e Kolonelit, të varrosura fshehurazi nga plaka Nicë, mbeten të humbura në lumë… bashkë me ndjenjën e nderit dhe të faljes.

Vepra vjen e rikonceptuar nën një frymë të re, por me fokus të përcjellë mesazhin e fortë te publiku, veçanërisht brezi i ri.

Erina Lazi shton: “Kam marrë elementët kryesorë të veprës së Kadaresë dhe Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur është një vepër që për mua personalisht lë hapësirë për të eksperimentuar, nuk është e thënë që të sillet në formën e teatrit klasik, por mund të eksperimentohet dhe unë pikërisht këtë kam bërë”.

“Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” fton publikun në ambientet e Teatrit Metropol nga data 7-9 nëntor.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta