Njëri tentoi të hynte me kokainë, tjetri me qindra fishekë, arrestohen dy persona në Kakavijë
Pak përpara se të niste seanca plenare dje në Parlament, kreu i PD Sali Berisha foli edhe për orientimin seksual të Silvio Gonzatos, kreu i delegacionit të BE në Tiranë.
Për këtë zhvillim gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, përmes postës elektronike i kërkoi një koment Komisionit Europian.
Një zëdhënëse e Komisionit Europian tha për Top Channel:
“Përafrimi me acquis-në e BE-së është pjesë e procesit të anëtarësimit, të cilin të gjitha vendet kandidate janë të detyruara ta sigurojnë.
Kjo nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, është një hap thelbësor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”

Siç kujtoi edhe Komisionerja Kos në postimin e saj në rrjetet sociale dje:
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e së drejtës së BE-së. Këto janë vlera thelbësore të BE-së dhe të drejta themelore. Ne mirëpresim miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore nga Parlamenti Shqiptar mbrëmë.”
Ky zhvillim pason rekomandimin në Raportin Vjetor të Komisionit për Shqipërinë 2025, i cili i bënte thirrje Shqipërisë të siguronte një nivel të lartë ambicieje dhe është në përputhje me acquis-në e BE-së dhe standardet evropiane për këtë ligj:
“Ky është një tjetër tregues i përkushtimit të Shqipërisë për të ndërmarrë reformat kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.”
Ky ishte deklarimi i djeshëm i Doktor Berishës për ambasadorin e BE në Tiranë:
“Ambasadorit të BE i them kaq, zotëri ne absolutisht ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tua për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare, dhe i them këtu, edhe në statusin tënd je binar.
Nuk merremi ne me trajtimin, ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e tij më pas, siç e ka shpjeguar, se nuk dua të merrem me jetën e tij personale fare”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i kërkoi opozitës të distancohet nga sulmi ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian, duke e cilësuar si “të turpshëm” dhe të dëmshëm për vetë Partinë Demokratike.
“Edhe njëherë, në parantezë, uroj e shpresoj që deri në fund të kësaj seance dikush nga Partia Demokratike të gjejë fuqinë dhe forcën të distancohet nga ai sulm i turpshëm sot kundër ambasadorit të BE-së”, tha Balla.
Duke iu drejtuar deputetëve demokratë, Balla theksoi:
“Nuk ju bën nder. Nuk ju bën nder. Qesh ti, qesh, qesh, qesh, vazhdo të qeshësh, por po ta them që sulmet kundër ambasadorëve i kanë bërë dëm historikisht partisë tuaj.
Të uroj që qeshja të të bëjë përsëri deputet, ndërkohë që partisë tuaj i bëni nder nëse dikush prej jush, në një formë elegante, pa e fyer udhëheqësin, të kërkojë ndjesë publike.”
Top Channel