Një ish-drejtor banke, i cili në vitet 2018 dhe 2019 grabiti paratë e një klienti nga dega e një banke në Kombinat, është arrestuar në Angli.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, duke iu referuar dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve në Londër, raporton se për qëllim ekstradimi me kërkesë të Interpol Tiranës është prangosur Florant Nako, 40 vjeç.
Ai kërkohet nga drejtësia shqiptare pasi më 15 tetor 2018, në degën e bankës ku punonte në Kombinat, grabiti 4,000 euro nga llogaria e Nikolla Nikës.
Akuza e dytë lidhet me një tjetër grabitje nga e njëjta llogari bankare, më 8 korrik 2019, po në degën e bankës në Kombinat, në shumën 1,300,000 lekë.
Ndërsa akuza e tretë daton më 26 korrik 2019, kur Florant Nako vodhi edhe 550,000 lekë të tjera që i përkisnin po të njëjtit klient, Nikolla Nika.
Nako pritet të dalë përsëri përpara gjykatës në Londër më 11 nëntor 2025.
Në vitin 2020, Policia e Tiranës njoftoi se:
“Finalizimi i operacionit u bë pas një hetimi katërmujor, pas denoncimit të bërë nga banka, ndërsa Nako kishte dhënë dorëheqjen nga posti. Florant Nako tashmë do të përballet me drejtësinë me akuzën ‘Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën’.”
Në reagimin e saj, banka deklaronte: “Që nga momenti i parë i konstatimit të incidentit, janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura sipas procedurave të brendshme dhe kuadrit ligjor, duke bashkëpunuar ngushtë me organet kompetente për zbardhjen e çështjes dhe mbrojtjen maksimale të interesave të klientit.”
Top Channel