Riorganizimi i brendshëm i Policisë së Shtetit, Proda mbledh drejtuesit e lartë, zbardhen diskutimet

06/11/2025 18:58

Ditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua takimi mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, drejtuesve të programeve dhe projekteve që asistojnë Policinë e Shtetit dhe Oficerëve Policorë Ndërlidhës të atashuar në vendin tonë.

Takimi, me qëllim informimin mbi riorganizimin e brendshëm të Policisë së Shtetit, për të luftuar me efikasitet format e reja, të avancuara dhe dinamike të kriminalitetit.

“Ky është një moment domethënës, si dhe një vendimmarrje e rëndësishme në rrugën e modernizimit, forcimit institucional dhe rritjes së efikasitetit të Policisë së Shtetit në shërbim të qytetarëve dhe në luftë ndaj krimit.

Reformat që po ndërmarrim nuk janë vetëm ndryshime strukturore, por një transformim i mënyrës së funksionimit të Policisë së Shtetit, me synim të qartë, forcimin e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e reagimit ndaj sfidave të reja të sigurisë dhe garantimin e një policie më të afërt, më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarit.

Unë e çmoj shumë këtë mundësi për ta prezantuar dhe diskutuar këtë proces me partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse Policia e Shtetit ka qenë dhe mbetet e hapur për bashkëpunim pa barriera, për shkëmbim idesh, eksperiencash dhe kontributesh të përbashkëta.

Besoj fort se suksesi në përballimin e sfidave të sigurisë nuk është individual, por kolektiv. Ai ndërtohet mbi besim, koordinim dhe partneritetin e qëndrueshëm.

Në këtë frymë, dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen e vazhdueshme dhe për kontributin konkret që keni dhënë në procesin e modernizimit të Policisë së Shtetit”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta