Ky është portreti i parë i shkrimtarit Ismail Kadare, realizuar nga piktori Vilson Kilica.
Autorësia e pikturës që ndodhej në shtëpinë e Kadaresë, u vërtetua pas një studimi nga Suzana Varvarica, që tregon se vepra është realizuar në vitet 1958-1959, kur Kilica dhe Kadare studionin në Bashkimin Sovjetik.
“Është një portret i drejtpërdrejtë, i bërë nga Vilson Kilica për Ismail Kadarenë dhe i dhuruar për Ismail Kadarenë në atë kohë. Këtu përmbyllet datimi dhe gjetja e autorit, që janë shumë të rëndësishme për një muzi arti ose për një muze që konservon vepra arti”, thotë Suzana Varvarica.
Mungesa e firmës në vepër bëri studiuesit të hulumtojnë më shumë dhe një shënim i gjetur në pëlhurë në pjesën e pasme ishte detaji që i bindi për autorësinë.
Restauratori Olsi Laska tha: “Gjatë pastrimit, doli kjo firma këtu që është ‘Kadare’, e shkruar në rusisht”.
Kjo pikturë me vlerë të madhe për artin pamor në vend, ishte në një gjendje të shkatërruar, në kufijtë e shkatërrimit dhe ndërhyrja e restauratorit Olsi Laska i riktheu pamjen e 56 viteve më parë: “Boja ishte shumë e thatë dhe kishte filluar të binte. Pasi konservohet piktura e autorit, lyhet me vërnik dhe fillojnë fazat e stukimit dhe çdo gjë imitohet me gdhëndjet, me penelatën e piktorit. Të gjitha këto janë mbi vërnik, që është ‘xhami’ që ndan pikturën origjinale me atë të restauratorit.
Ishte e lehtë të dilje te autorësia, te peneli, te ngjyrat, te kontrasti, ndarjet grafike, është i veçantë në teknikë dhe ngjyrë”.
Moderniteti që përcjell portreti përmes teknikës së përdorur tregon më shumë për krijimtarinë e veçantë të Kilicës, i vlerësuar si një ndër krijuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare, i vlerësuar me titujt “Piktor i Merituar” dhe “Piktor i Popullit”.
Suzana Varvarica shtoi: “Vepra ka shumë rëndësi sepse tregon fillesat e Vilson Kilicës, por jo fillesat e para sikurse jemi mësuar ne nga Liceu Artistik, por janë fillesa të një arti, të cilin ai e konceptonte të sjellë nga Bashkimi Sovjetik dhe të raportuar në kushtet shqiptare”.
Top Channel