Deklarata e Berishës ndaj Ambasadorit Gonzato, PS i drejtohet Komisionit të Etikës, kërkon përjashtimin e kreut të PD me 30 ditë nga Kuvendi
Policia italiane ka arrestuar një 35-vjeçar me origjinë shqiptare, pasi dyshohet se ka dhunuar barbarisht një të ri italian dhe babai e tij, për shkak se i riu nuk i kishte paguar paratë e drogës që kishte blerë nga shqiptari.
I dyshuari, Elson Leka, akuzohet për një seri sulmesh dhune të kryer gjatë muajve të fundit, në përpjekje për të marrë një borxh droge që fillimisht ishte vetëm 1,000 euro.
Siç raportojnë mediat italiane, ngjarjet datojnë që nga gushti i kaluar, kur Leka dyshohet se i shiti kokainë një 23-vjeçari italian, dhe kur viktima nuk arriti të paguante në kohë, shqiptari nisi një seri aktesh dhune për ta detyruar të shlyente borxhin.
Hetimi tregon se 35-vjeçari ka kryer kërcënime me armë, ka shtypur viktimën me biçikletë, dhe madje ka hedhur një lëndë shpërthyese në banesën e familjes së ‘debitorit’, si formë kërcënimi.
Akti më i rëndë ndodhi kur Leka, në shoqërinë e disa bashkëpunëtorëve, u përball me 23-vjeçarin dhe babain e tij, në një zonë në periferi të Romës e njohur për praninë e grupeve shqiptare të trafikut të drogës. Pas një debati të shkurtër, Leka dyshohet se u përpoq ta godiste me thikë të riun, por babai i tij ndërhyri për ta mbrojtur dhe u rrah barbarisht, duke pësuar plagë të rënda në fytyrë dhe trup.
“Nëse nuk paguan, do të vras”, ishte shprehur shqiptari.
Falë pamjeve të kamerave të sigurisë dhe punës së policisë, hetuesit arritën të mblidhnin provat e mbajtueshme që cuan në ekzekutimin e urdhrit të arrestit ndaj 35-vjeçarit shqiptar, i cili u shoqërua në burgun Rebibbia të Romës.
Sipas policisë italiane, ngjarja është e lidhur me qarqet lokale të trafikut të drogës në bregdetin e Lacios, ku operojnë disa organizata me pjesëmarrje të individëve shqiptarë. Autoritetet po vijojnë hetimet për të verifikuar nëse i arrestuari ka pasur lidhje me ndonjë grup të strukturuar kriminal.
Në përfundim, organet hetimore theksojnë se provat e paraqitura i përkasin fazës paraprake të hetimit dhe se, në përputhje me ligjin, për të dyshuarin zbatohet parimi i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim gjyqësor përfundimtar.
Top Channel