Emrat/ Zbulohet ‘shtëpia’ e barit në Shkodër, arrestohet i biri, procedohet nëna dhe shpallet në kërkim babai

06/11/2025 11:58

Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Neonët 2”, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe një tjetër të magazinimit të mallrave të kontrabanduara.

Gjatë operacionit, i zhvilluar në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, u zbuluan dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me llamba. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi Daniel Buraj, 22 vjeç, u procedua penalisht nëna e tij, F. B., 54 vjeçe, ndërsa babai, Sokol Buraj, 57 vjeç, u shpall në kërkim.

Në vijim, u ndaluan shtetasit Ersid Çulaj, 27 vjeç, dhe Ferdinand Dedaj, 57 vjeç, ndërsa dy punonjës të OSHEE-së u arrestuan dhe dy të tjerë u proceduan penalisht për “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se kanë ndihmuar në lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi:

287 bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë;

515 gramë kanabis;

Municion luftarak dhe një armë të ftohtë (thikë);

101 pajisje elektrike të përdorura për kultivimin e bimëve (llamba, inverterë, aspiratorë, filtra ajri);

2 automjete dhe 9 celularë;

138 arka dhe shishe me pije alkoolike të dyshuara të kontrabanduara.

Në një prej banesave të kontrolluara u konstatua edhe lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, në zbatim të planit për parandalimin e kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.

Policia njofton se vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim Sokol Buraj dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme ligjore.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta