Çmimi “Jakov Xoxa”, përzgjidhen autorët e rinj dhe do të shpallen edhe fituesit në fund të muajit dhjetor

06/11/2025 12:34

Çmimi “Jakov Xoxa”, i kthyer tashmë në traditë për të vlerësuar autorët e rinj, nis edicionin e dytë.

Juria prej pesë anëtarësh, e kryesuar nga Rexhep Qosja do të gjykojë kandidatët mbi disa kritere, sidomos origjinaliteti e qëndrueshmëria e veprës, humanizmi dhe përcjellja e realitetit.

“Ky çmim vjen si mundësi për të gjithë autorët e rinj shqiptarë, që këto vite kanë shkruar vepra, proza apo poezi. Është mundësi e mirë që ne të njohim përmes gjykimit të një jurie të dedikuar, që drejtohet nga një personalitet si Rexhep Qosja për të parë cilat janë vokacionet e letërsisë së re shqipe”, u shpreh Alda Bardhyli.

Juria e përzgjedhur bën një analizë në veprat e botuara ndër vite për të evidentuar një figurë që ka spikatur më shumë dhe që me veprën e tij ka sjellë një qasje ndryshe, një evoluim në kulturën e shkrimit shqip.

Procesi i vlerësimit është ndarë në tre faza, në të cilat përzgjidhen kandidatët deri në 10 dhjetor dhe në fund të vitit do të shpallet fituesi, që do të përfitojë një shumë monetare dhe mundësinë e botimit të një libri.

Anëtari i bordit ekzekutiv të Çmimit “Jakov Xoxa”, Fatos Çoçoli tha: “Juria kërkon zërat e rinj, krijuesit e rinj, energji të reja në nivel të lartë letrar. Autorët e rinj kanë shumë botë, kanë shumë përsiatje të modernizmit, kështu që gjykoj se edicioni i dytë do të jetë më i mirë se i pari. Do të japë atë që kemi nevojë, një traditë, një dimension të traditës, të letrave tona të mrekullueshme, që çdo vit përjetojnë një zhvillim të ri”.

“Për ne është kënaqësi e madhe të mbështesim këtë lloj letërsie, këta autorë që pas viteve ’90, po çlirojnë talentin e tyre”, u shpreh Agron Xoxa.

Ky çmim që mbështet dhe motivon autorët e rinj, njëkohësisht nderon një ndër romancierët më të rëndësishëm të shekullit XX, që biri, Agron Xoxa, e kujton me emocion si krijuesin që i jepte shpirt personazheve që krijonte.

“Për ne, Jakovi mbetet gjithmonë po ai njeri modest, shumë familjar, me një pasion të jashtëzakonshëm, për letërsinë në radhë të parë, për personazhet e tij. Kujtoj se kur e ndiente që po largohej, tha ‘unë po iki, por po lë jetim personazhet e mia’”, tha Xoxa.

Duke paraqitur jetën e myzeqarit me të gjitha sfidat dhe vështirësitë e kohës, Jakov Xoxa la pas një krijimtari të gjerë, por vepra më përfaqësuese e tij është romani “Lumi i Vdekur” që tematizon fenomenin e natyrës dhe kulturës, ku natyralja paraqitet si kundërpeshë e arrogancës së njeriut.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta