SPAK ka marrë të pandehur katër zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me procedurat e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndër të cilët edhe Mirzeta Kashnica, specialiste e nivelit të lartë në këtë ministri.
Sot është publikuar dosja e Prokurorisë së Posaçme që lidhet me rastin e Kashnicës, ku përfshihen komunikime mes zyrtarëve të ministrisë dhe ish-drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, si edhe mes tyre dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për ecurinë e procesit të tenderimit.
Pjesë nga dosja u bënë publike fillimisht nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në një konferencë për shtyp, dhe më pas u përmendën edhe nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.
Në 45 faqet e dosjes për Mirzeta Kashnicën, prokuroria ka përfshirë disa komunikime të cituara si pjesë e hetimit mbi mënyrën e zhvillimit të procedurave për tenderin, me një vlerë rreth 190 milionë euro.
Në një prej bisedave të përfshira, gjatë procesit të parë të tenderimit, Balluku i shkruan një prej vartësve: “Mendoj ta anulojmë, skualifikoji të gjithë”, ndërsa ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, i përgjigjet: “Jam mëse dakord, se kam diçka që s’më kuadron në gjithë situatën. Kur e do, sot apo nesër?”. Më pas, Balluku shton: “Kam atë ndjesinë time që nuk duhet”, dhe Berberi vijon: “E ke të fortë ndjesinë. Kur e do?”.
Në dosje përfshihen gjithashtu komunikime të tjera ndërmjet zyrtarëve të ministrisë dhe ARRSH-së lidhur me tenderin e dytë, i cili më pas u fitua nga një kompani turke.
Burime pranë çështjes theksojnë se hetimet janë ende në fazën e verifikimeve dhe nuk ka ende një qëndrim përfundimtar mbi përgjegjësitë individuale apo institucionale.
Top Channel