Liderja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, flet me adhurim rreth politikave dhe qëndrimit të Donald Trump ndaj vendit të saj.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë shqyrton mundësinë e një përshkallëzimi ushtarak, politikania fituese e Çmimit Nobel për Paqen tha se qëndrimi i Trump është “absolutisht i saktë”.
Duke folur nëpërmjet një video-mesazhi në Forumin Amerikan të Biznesit në Miami, ajo tha gjithashtu se Presidenti Venezuelës Nicolas Maduro “nuk është një kryetar legjitim shteti” dhe se veprimet e Trump “do të mbrojnë miliona jetë qytetarësh të Amerikës Latine dhe sigurisht qytetarë Venezuelianë”.
Machado foli nga një vendndodhje sekrete. Ajo e quajti Maduron “kreun e një strukture narko-terroriste që i ka shpallur luftë popullit Venezuelës dhe vendeve demokratike të rajonit”.
Ajo madje pretendoi se strukturat kriminale e mbështetën regjimin duke kontrabanduar drogë, ar, armë dhe madje edhe trafikim njerëzor. “Duhet t’i ndaloni këto flukse parash”, tha ajo, duke theksuar se “Maduro e filloi këtë luftë dhe Presidenti Trump po i jep fund asaj”.
Politico kujton se qeveria amerikane ka sulmuar tashmë më shumë se 10 anije venezueliane që pretendon se transportonin drogë. Të paktën 60 persona u vranë në këto sulme. Këtë vit, qeveria amerikane dyfishoi shpërblimin për kapjen e Maduros në 50 milionë dollarë, pas akuzave për konspiracion me drogën në vitin 2020, dhe shtoi Venezuelën në listën e vendeve të trafikimit të drogës.
Megjithatë, Machado nuk iu referua thashethemeve se Trump po shqyrton ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë, si dhe veprimeve që mund të çojnë në largimin e tij nga pushteti.
Top Channel