“Shqipëri o nëna ime”, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve nis provat për premierën në muajin e festave

05/11/2025 12:28

Këtë fillim nëntori, muajit të festave kombëtare, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ka nisur provat për premierën absolute “Shqipëri o nëna ime”. Programi artistik përfshin të gjitha trevat shqipfolëse.

“Në e hapim shfaqjen me këngën: Jem Ilira… jem Teuta/ Jem të rritur nëpër luftna/ T’gjithë Shqiptarët kudo janë/ Nuk kanë tjetër veç nji nanë”, u shpreh solisti i TKOB, Aranit Hoxha.

“Ky koncert do të vijë si asnjëherë tjetër, me një super repertor, ku është përfshirë e gjithë harta gjeografike ku ka shqiptarë dhe flitet shqip. Me vallet, koralet, kostumografinë preket AND-ja jonë”, tha Hoxha.

“Repertori është i vendosur mbi disa korale të Kosovës, kemi vallen e Rexhës, do të kemi edhe këngë solistike, ndërkohë që nuk do të mungojë as vallja e famshme çame. Prandaj e kemi titulluar ‘Shqipëri o nëna ime, na bashkon flamuri’. Ky është edhe lajtmotivi i koncertit”, u shpreh drejtori artistik i Ansamblit Popullor, Sokol Marsi.

Për herë të parë, trupës së Ansamblit do t’i bashkohet tenori i madh Josif Gjipali si dhe Kastriot Tusha.

Valle dhe këngë që përfaqësojnë identitetin shqiptar mirëpresin në 8 nëntor Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit jo vetëm publikun vendas, por edhe turistët e huaj, që e shohin si destinacion kulturor në pushimet e tyre në Shqipëri.

“Nuk mungojnë turistët e shumtë dhe ne i kemi evidentuar edhe në shfaqjet tona të fundit, ku midis shqiptarëve që e pëlqejnë folklorin tonë sepse e kanë pjesë të trashëgimisë së vetë, kemi dhe shumë turistë të huaj që janë të mahnitur nga kostumografia jonë dhe larmia e repertorit”, tha Marsi.

Më pas, gjatë nëntorit kuqezi, trupa e Ansamblit do të udhëtojë drejt Fierit dhe Vlorës, aty ku do të dhurojë një shfaqje t veçantë në Ditën e Flamurit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta