Përmbarimi nis lirimin e ish-kabinave të plazhit në Durrës, familjet përplasen me efektivët, lot dhe dëshpërim

05/11/2025 16:16

Tensione dhe lot gjatë ekzekutimit të urdhrit të përmbarimit në ish-kabinat e plazhit pranë “Rrotës së Kuqe” në zonën e Plazhit.

Banorët u detyruan të largohen nga banesat ku jetojnë prej më shumë se tri dekadash, pasi ish kabinat e plazhit u dhanë si banesa sociale në vitin 1991 për familjet e pastreha.

Më pas, trualli ku ndodhen ato hyri në procesin e kthim-kompensimit të pronave. Disa familje u sistemuan, të tjera, siç janë dhe këto familje, vijuan betejat gjyqësore. Në vitin 2013, gjykata i dha përfundimisht të drejtën e pronësisë familjes Tirana, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.

Banorët që nuk e kanë ndalur betejën ligjore thonë se u është kërkuar të aplikojnë si të pastrehë për banesa të reja. Gjykimi më i fundit i çështjes së tyre në Apel është vonuar, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, që kishte dosjen, ndërsa përmbarimi ka vijuar me lirimin e godinave.

Ekzekutimi i sotëm rikthen pasigurinë për banorë të tjerë në plazhin e Durrësit, që presin ende një zgjidhje për strehimin e tyre.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta