Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se ekonomia e vendit po ruan ritme të qëndrueshme rritjeje, me një sistem financiar të fortë dhe me kushte të përshtatshme për huadhënie.
Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të mbajë të pandryshuara normat bazë të interesit, duke përsëritur pritjet për stabilitet të çmimeve në periudhën në vijim.
“Veprimet e hershme të politikës monetare kanë krijuar një mjedis të favorshëm për kreditim dhe zhvillim ekonomik. Inflacioni është ngadalësuar ndjeshëm, duke arritur në 2.4% gjatë tremujorit të tretë, nën objektivin tonë prej 3%. Ky rezultat pasqyron uljen e çmimeve të ushqimeve dhe forcimin e lekut, megjithëse nafta, qiratë dhe shërbimet kanë shënuar rritje”, tha Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Guvernatori vuri në dukje se ecuria pozitive e ekonomisë mbështetet kryesisht nga konsumi, turizmi dhe një politikë buxhetore e kujdesshme, por paralajmëroi se rreziqet për inflacionin nuk janë zhdukur plotësisht.
“Ne parashikojmë që inflacioni do të rikthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2026. Edhe pse rreziqet po zbuten, ato mbeten të pranishme, ndaj politika jonë monetare do të vijojë me kujdes. Rritja e shpejtë e pagave dhe mungesa e fuqisë punëtore mund të ushtrojnë përsëri presione mbi çmimet”, u shpreh Sejko.
Sipas Bankës Qendrore, ndërhyrjet e saj në tregjet valutore kanë ndihmuar në frenimin e forcimit të mëtejshëm të lekut, ndërsa ekuilibri mes kërkesës dhe ofertës, së bashku me stabilitetin e jashtëm, vazhdojnë të mbështesin zhvillimin ekonomik të vendit.
Top Channel