“Na jep borxhin”/ Si 29-vjeçari dhe familjarët e tij u kërcënuan nga gjashtë persona, tre prej tyre vëllezër

05/11/2025 14:38

Një rast kërcënimi u raportua në kryeqytet, ku autorë janë gjashtë persona.

Të rinjtë, 3 prej tyre vëllezër, kanosën e shantazhuan 29-vjeçarin dhe familjarët e tij, për dhënien e një shume parash që pretendonin se ia kishte borxh.

Policia ka vënë në pranga njërin prej tyre, nën hetim janë katërtë tjerë, teksa ende vijon puna për kapjen e një personi tjetër.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas njoftimit të marrë se një 29-vjeçar dhe familjarët e tij po kanoseshin për dhënien e një shumë parash, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pretendimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar, nga të cilët:

-u arrestua në flagrancë shtetasi E. C., 26 vjeç;

-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. C., 35 vjeç, R. B., 35 vjeç, S. B., 19 vjeç, banues në Librazhd dhe L. F., 32 vjeç, banues në Peshkopi;

-u shpall në kërkim shtetasi A. C., 28 vjeç, vëllai i 26-vjeçarit të arrestuar dhe i 35-vjeçarit të proceduar.

Nga hetimet dyshohet se këta 6 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur dhe shantazhuar nëpërmjet celularit, 29-vjeçarin dhe familjarët e tij, me pretendimin se këta shtetas i kishin borxh një shumë të konsiderueshme parash.

Punohet për kapjen e shtetasit A. C. dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta