‘Mundi’ Trump/ Kush është Zohran Mamdani, socialisti demokrat që fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie të Nju Jorkut?
Pas rezultateve zhgënjyese të republikanëve në zgjedhjet lokale të së martës, përfshirë edhe fitoren historike të Zohran Mamdanit në Nju Jork, Donald Trump ka reaguar me tone mbrojtëse, duke u përpjekur të distancohet nga humbjet e partisë së tij.
Në një postim në Truth Social, Presidenti i SHBA shkroi: “Trumpi nuk ishte në fletëvotimi dhe mbyllja e qeverisë ishin dy arsyet pse republikanët i humbën zgjedhjet sonte”, duke ia atribuar dështimet faktorëve të jashtëm si mbyllja e përkohshme e qeverisë federale dhe mungesa e tij në garat lokale.

Trump kishte ndërhyrë personalisht në disa gara, përfshirë ato në New Jersey dhe Virxhinia, ku kishte mbështetur Jack Ciattarelli dhe Winsome Earl-Sears, të cilët gjithashtu pësuan humbje. Një ditë para zgjedhjeve, ai u kishte bërë thirrje mbështetësve të tij që të votonin ish-guvernatorin Andrew Cuomo në vend të demokratit Zohran Mamdani dhe kandidatit republikan Curtis Sliwa në garën për kryebashkiakun e Nju Jorkut.
Megjithatë, përpjekjet e tij rezultuan të kota: Mamdani triumfoi, ndërsa të gjithë kandidatët e mbështetur nga Trump humbën garat e tyre.
Pas humbjeve, Presidenti tentoi të zhvendosë vëmendjen drejt një lajmi më të favorshëm për të, duke theksuar se intervista e tij në “60 Minutes” kishte “shikueshmërinë më të lartë në vite”.
Analistët politikë në SHBA e kanë cilësuar reagimin e Trump si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë pas një serie dështimesh elektorale, që tregojnë një dobësim të ndikimit të tij politik në skenën republikane.
Top Channel