Ngërçi politik në Kosovë, Presidentja Osmani mandaton Konjufcën për formimin e qeverisë Lëvizja Vetëvendosje mban të martën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm për të caktuar mandatarin për kryeministër të Kosovës.
Glauk Konjufca u propozua për mandatar për kryeministër i ri i Kosovës. Tani pritet votimi i tij në Këshillin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Albin Kurti në fjalimin e tij në Këshillin e Përgjithshëm i bën thirrje opozitës ta votojë Konjufcën. “Ky propozim është në funksion të miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm”, tha Kurti.
Pas propozimit nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca duhet të mandatohet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas mandatimit, LVV ka kohë 15 ditë për të thirrur seancën për votimin e qeverisë në Kuvend. Deri më tani Vetëvendosje i ka 56 vota, të sigurta, bazuar në votimin e Kurtit më 26 tetor.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk voton, sipas deklarimit të fundit të ditës së sotme.
Qëndrim të njëjtë pritet të mbajnë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e NISMA, të paktën prej deklarimeve të fundit të krerëve të këtyre partive dhe vullnetit për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Edhe për mandatarin e dytë duhen 61 vota për tu zgjedhur kryeministër.
Tash i mbetet Lëvizjes Vetëvendosje që brenda 15 ditëve të afatit të zhvillojë takime me partitë e tjera për të siguruar votat e nevojshme nëse qëllimi kryesor është formimi i qeverisë, pasi që nga njohësit e politikës së brendshme kjo lëvizjes e VV-së është parë me qëllim shtyrjen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për fund dhjetor, meqë mërgata është në pushimin e fundvitit.
Top Channel