Norvegjia kundër paketës gjigante të kompensimit për Elon Musk, ‘fati’ i CEO-s së Teslës do të vendoset të premten

04/11/2025 09:59

Norvegjia, përmes fondit të saj sovran të pasurisë, më të madhit në botë, ka njoftuar se do të votojë kundër paketës rekord të kompensimit të propozuar për Elon Musk, e cila mund t’i japë CEO-s së Teslës deri në 1 trilion dollarë në aksione.

Të premten aksionarët e gjigantit të automjeteve elektrike do të vendosin për planin që konsiderohet pagesa më e madhe ndonjëherë për një drejtues ekzekutiv, duke shkaktuar debate të forta në botën financiare dhe teknologjike.

Fondi norvegjez zotëron rreth 1.12% të aksioneve të Teslës, me vlerë rreth 17 miliardë dollarë, duke e bërë investitorin më të madh institucional jo-amerikan që merr publikisht një qëndrim kundërshtues. Ndërkohë, Baron Capital, investitori i dytë më i madh institucional, ka konfirmuar mbështetjen e tij për paketën, ndërsa gjigantët financiarë si BlackRock, Vanguard dhe State Street nuk kanë deklaruar ende votën.

Bordi i Teslës mbetet në krah të Musk, me kryetaren Robin Denholm që ka paralajmëruar se refuzimi i planit mund ta shtyjë miliarderin të largohet nga kompania.

Por fondi norvegjez shprehet i shqetësuar për “madhësinë e jashtëzakonshme të kompensimit, hollimin e aksioneve dhe mungesën e mekanizmave për të kufizuar rrezikun nga varësia në një person të vetëm”.

Ky institucion kishte votuar kundër edhe paketës së mëparshme prej 56 miliardë dollarësh, duke provokuar reagimin e ashpër të Musk, i cili madje refuzoi një ftesë zyrtare në Oslo.

Sipas analizës, paketa aktuale, pas llogaritjes së kostos së lëshimit të aksioneve, kap vlerën e rreth 878 miliardë dollarëve. Tesla deklaron se Musk nuk do të marrë asgjë nëse kompania nuk rrit ndjeshëm vlerën e saj, ndërsa shpërblimi maksimal aktivizohet vetëm nëse kapitalizimi i tregut arrin në 8.5 trilionë dollarë. Gjithsesi, ekspertët paralajmërojnë se Musk mund të përfitojë dhjetëra miliardë dollarë edhe pa u arritur objektivat e plota.

Votimi i 6 nëntorit pritet me shumë interes, ndërsa lufta për paketën e shekullit po tensionon marrëdhëniet mes investitorëve dhe vizionarit të Tesla-s.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta