Në Shqipëri janë 100 mijë paciente me diabet të cilët marrin trajtim, por kjo shifër është shumë më e lartë, pasi shumë të tjerë nuk e dinë që e kanë.

1,800 paciente janë të prekur nga këmba diabetike për shkak se kjo sëmundje ose nuk është kuruar si duhet, ose është kapur vonë, pasojat e së cilës mund të shkojnë deri në humbje të këmbës.

Mjekët endokrinologë shprehin shqetësim për mungesën e specialistëve për trajtimin e këmbës diabetike.

Mjeku endokrinolog, Prof. Dr. Florian Toti, thotë: “Mungojnë edukatorët e diabetit. Roli i podologut është shumë i rëndësishëm për të zbuluar ata persona që janë me rrezik të lartë për këmbën diabetike. Këta persona janë trajnuar që të kujdesen edhe për plagët e këmbës diabetike. Ky është një entitet që mungon totalisht në Shqipëri.”

Këmba diabetike mund të konsiderohet një dështim i mjekëve endokrinologë, pasi ajo mund të parandalohet, thekson mjeku Florian Toti, nëse pacienti kurohet si duhet: “Këmba diabetike është një sëmundje e kushtueshme, pasi kërkon një kujdes shumëdimensional. Duke qenë infeksion, kërkon një ditë qëndrimi të zgjatur, trajtim shumë specifik dhe gjysmë-intensive, sepse kemi pacientë me temperaturë të lartë, të intoksikuar, me vlera të larta të glicemisë, dhe pavarësisht mjekimeve, një pjesë e rasteve përfundojnë në amputim.”

40 mjekë të njohur endokrinologë nga 12 vende të ndryshme u mblodhën në Tiranë për të diskutuar për trajtime bashkëkohore të pacienteve me diabet, me qëllim ofrimin e kujdesit shëndetësor për këmbën diabetike që të mund të menaxhohet edhe në sistemin shëndetësor parësor.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta