Fituesit e zgjedhjeve lokale në Kosovë/ Shpallen rezultatet për 37 kuvendet komunale, në Drenas votohet prej ankesave

04/11/2025 09:43

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për 37 Kuvendet Komunale.

Në Drenas nuk shpalli zgjedhjet për shkak të ankesave.

Krashnik Radoniçi – Kryetar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve: “Sot nuk do të mund të shpallim rezultatin për komunën e Drenasit për Kuvend Komunal për arsye se ende është një ankesë në Gjykatën Supreme për të cilën pritet vendimmarrja. Me rastin e pritjes së vendimit nga Gjykata Supreme dhe varësisht prej vendimmarrje do të veprojë edhe KQZ-ja”.

Duke e llogaritur edhe Drenasin, Partia Demokratike e Kosovës kryeson me numrin e ulëseve të siguruara në kuvendet komunale me 206 sosh, pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 203 vende, Lëvizja Vetëvendosje me 177 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 98 vende.

KQZ shpalli rezultatet përfundimtare edhe për komunat Junik, Prishtinë e Mamushë.

Ndërkohë, certifikoi rezultatet për 35 komunat, rezultati i të cilave u shpall një javë me parë.

Sipas rezultatit 20 komuna e kanë përfunduar procesin e zgjedhjes së kryetarit, ndërkohë 15 të tjera do jenë në balotazh më 9 nëntor. Pritet që në balotazh të jenë edhe Prishtina, Juniku e Mamusha, por duhet të pritet të ezaurohet afati i ankesave për rezultatet përfundimtare, e më pas edhe të bëhet certifikimi.

Sipas këtij rezultati, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar pa balotazh tre komuna dhe do garojë në rrethin e dytë në 12 të tjera.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar po ashtu tre pa balotazh, e më 9 nëntor garon në gjashtë të tjera. Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë fitoi dy komuna e në garë mbetet në nëntë të tjera. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pa balotazh fitoi një komunë derisa mbetet në garë në pesë të tjera.

Lista Serbe fitoi në raundin e parë 9 komuna me shumicë serbe dhe vazhdon garën në Kllokot me nëntë nëntor. Por të martën u bë e ditur që kundërkandidati i saj, Sreqko Spasiç nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” njoftoi më 3 nëntor se i është bashkuar Listës Serbe.

Nisma fitoi Malishevën qysh në rrethin e parë. Ramiz Lladrovci fitoi po ashtu në Drenas pa balotazh duke e mposhtur ish-partinë e tij, PDK-në.

Ndërkohë komuna me shumicë turke, Mamusha do të jetë në balotazh me 9 nëntor.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta