‘Vendeta’ në Kretë që ktheu fshatin si arenë lufte, kryhet sot ceremonia mortore e 39-vjeçarit, policia blindon të gjithë zonën

03/11/2025 18:00

Fshati Vorizia në Irakleio të Kretës u kaplua nga dhimbja dhe tragjedia këtë të hënë.

Për herë të parë, mediat greke kanë transmetuar gjatë mesditës të së hënës drejtpërdrejt një ceremoni varrimi në këtë fshat, që u krye nën masa të jashtëzakonshme sigurie policore, për shkak të frikës nga një përshkallëzim i ri i dhunës.

Bëhet fjalë për varrimin e një 39-vjeçari që humbi jetën në masakrën e ndodhur të shtunën e kaluar mes pjesëtarëve të dy familjeve kryesore që jetojnë njëra në pjesën e sipërme të fshatit dhe tjetra në të poshtmen. Disa orë para masakrës një shtëpi në lagjen e sipërme e blerë nga një familje në lagjen e poshtme, u hodh në erë, pasi u konsiderua “e gabuar në vendin e gabuar”, për shkak të një konflikti prej dekadash për toka dhe prona midis dy familjeve, raporton korrespondenti i Top Channel në Greqi Aleksandër Marku.

Më pas 39 vjeçari që i përkiste fisit të lagjes së poshtme ka marrë makinën dhe me armë në dorë ka filluar të qëllojë mbi pjesëtarët e lagjes së sipërme, të cilët i janë kundërpërgjigjur me breshëri kallashnikovi.

Pas më shumë se 2500 plumbave të lëshuar ai ka humbur jetën, si dhe një grua prej fisit tjetër që u ndodh rastësisht mes zjarrit, ndërsa 5 persona janë plagosur.

Gjatë varrimit forca të shumta policore kishin rrethuar zonën dhe ruanin çdo hyrje dhe dalje të fshatit.

Të shtunën, vetëm disa orë pas tragjedisë, u krye edhe pagëzimi i tre fëmijëve të papagëzuar të 39-vjeçarit, në një kishë të fshatit fqinj, një zakon që në Kretë shpesh lidhet me ngjarje të tilla tragjike. Njëri prej fëmijëve mori emrin e të ndjerit babait të tij.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë intensivisht për gjetjen e personave të cilët, sipas policisë, morën pjesë në shkëmbimin e zjarrit, bashkë me dy të tjerë që ndodhen në spital nën mbikëqyrje policore.

Fshati për momentin, është në gjendje të tensionuar: rrugët pothuajse bosh, shkollat mbyllur për arsye sigurie, banorë të larguar.

Hetuesit kërkojnë gjithashtu armatimin e përdorur. Ngjarja ka tronditur të gjithë Kretën, ndërsa autoritetet po përpiqen të rivendosin qetësinë në një komunitet të ndarë thellësisht prej vitesh nga armiqësitë familjare, ku tragjedia e re provon të vërtetën e hidhur se tradita e hakmarrjes në Kretë nuk ka vdekur.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta