“Testuam kapacitetet e AKU-së, studentët e UB të aplikojnë”/ Rama: Do t’i hapet rruga profesionistëve, nuk ka përfshirje pa integritetin e duhur profesional

03/11/2025 12:23

Kryeministri Edi Rama i pranishëm sot në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, ku i bëri edhe një thirrje studentëve.

Ekspertë nga brenda dhe jashtë vendit do të ndajnë dijen, inovacionin dhe vizionin e përbashkët për një bujqësi që respekton natyrën dhe fuqizon ekonominë rurale

Teksa doli për Agjencinë Kombëtare të Ushqimit, ai tha se tashmë nuk do të ketë më asnjë inspektor pa integritetin e duhur profesional.

“Pak kohë më parë kërkuam ndihmën e Universiteti Bujqësor për të bërë një testim të kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe ishte një eksperiencë shumë e dobishme. Kemi marrë nga grupi i angazhuar këtu, një raport shumë cilësor, por një eksperiencë që na ka dhënë idenë që ta strukturojmë, si një eksperiencë të shtrirë me botën akademike, për të bërë vlerësimet profesionale të të gjithë inspektorateve të vendit tonë.

Duke krijuar një aleancë që do t’i hapë rrugë profesionistëve, që do të duhen të përfshihen në këto inspektorate sipas meritës dhe do t’i mbyllë  rrugën atyre që i kanë gjetur mënyrat për tu futur në këto inspektorate pa integritetin e duhur profesional dhe për t’u bërë jo pjesë e zgjidhjes që duhet të garantojnë inspektoratit, por pjesë e problemeve që kemi me ta.

Dua të falënderoj të gjithë ata pedagogë që janë përfshirë në këtë proces dhe dua të ftoj që të gjithë ata studentë që kanë dëshirë që të përfshihen në këto inspektorate apo duan të kontribuojnë, që të guxojnë dhe të aplikojnë kur të hapet procesi i aplikimeve të reja.

Do të shfrytëzojmë universitetin për të bërë vlerësime të atyre që duhet të merren në punën, për të shmangur ndikimet e tjera. Sipas zakonit duhet të falënderojmë dhe partnerët e pranishëm”, tha kryeministri Rama.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta