SHBA: Nuk ka plane për shpërthime bërthamore, testimet janë jo-kritike”

03/11/2025 21:22

Shtetet e Bashkuara nuk kanë plane për të kryer shpërthime bërthamore, tha Sekretari i Energjisë Chris Wright, duke qetësuar publikun pas thirrjes së Presidentit Donald Trump për ushtrinë që të rifillojë testimet e armëve.

“Këto nuk janë shpërthime bërthamore”, tha Wright për Fox News, duke shtuar se “këto janë ato që ne i quajmë shpërthime jo-kritike”, që do të thotë se atyre u mungon masa kritike e nevojshme për të shkaktuar një shpërthim bërthamor.

Komenti vjen disa ditë pasi Trump postoi në Truth Social se ai kishte urdhëruar zyrtarët e mbrojtjes të “rifillonin testimin e armëve tona bërthamore në kushte të barabarta” me kundërshtarët.

“Amerikanët që jetojnë pranë vendeve të testimit, si në Nevada, nuk kanë arsye të shqetësohen”, tha Wright, duke shpjeguar se të gjitha pjesët e tjera të një arme bërthamore testohen për t’u siguruar që ato do të shpërthejnë.

Komentet e Trump në Truth Social javën e kaluar u interpretuan nga shumë si një shenjë se SHBA-të po përgatiteshin të rifillonin shpërthimet bërthamore që ishin pezulluar në vitin 1992.

“Rusia po bën teste dhe Kina po bën teste, por ata nuk flasin për këtë”, tha ai në një intervistë të dielën. Rusia i përfundoi testet e saj bërthamore në vitin 1990 dhe Kina në vitin 1996.

Koreja e Veriut është i vetmi vend që ka kryer teste bërthamore që nga vitet 1990, por edhe Pheniani njoftoi një moratorium në vitin 2018.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta