“Nuk kam ndërmend të rikthehem në stol”, Gareth Southgate zbulon planet e së ardhmes: Vështirë të përjetoj të njëjtën gjë si me Anglinë

03/11/2025 13:50

Ish-trajneri i përfaqësueses së Anglisë, Sir Gareth Southgate, ka deklaruar se nuk ka në plan të rikthehet në menaxhimin e futbollit, duke theksuar se roli i tij si trajner i kombëtares kishte një “thirrje më të lartë” që është e vështirë të përsëritet.

Në një intervistë për BBC Radio 4, Southgate u pyet për zërat që e lidhin me disa stola bosh në Premier League dhe jashtë saj, por ai i hodhi poshtë këto spekulime.

“Kam pasur një nga punët më të pabesueshme në futboll, që kishte edhe një qëllim më të madh sepse ishte për vendin tim,” tha ai. “Kjo është shumë e vështirë të ripërsëritet. Pas 37 vitesh në futboll, po shijoj që po gjej fusha të tjera ku mund të bëj ndryshim.”

Deklaratat e tij vijnë pak ditë para publikimit të librit “Dear England: Lessons in Leadership”, ku ai ndan përvojat dhe mësimet e tij si trajner i Anglisë nga shtatori 2016 deri në korrik 2024, por edhe si prind.

Southgate u shpreh se është i apasionuar për të ndihmuar të rinjtë dhe për të kundërshtuar “narrativën negative” që, sipas tij, mbizotëron në shoqërinë britanike: “Ka një narrativë negative në vendin tonë për momentin. Duhet t’u japim të rinjve shpresë, t’u ofrojmë modele frymëzuese dhe miqësi të shëndetshme, sepse këto vendime ndikojnë shumë në jetën e tyre.”

Ai shtoi se përvoja e tij me Anglinë — e cila, sipas tij, kaloi nga përçmimi publik në dashuri kombëtare — mund të shërbejë si shembull për gjithë shoqërinë: “Kur e morëm drejtimin, kishte një shkëputje të madhe me publikun. Njerëzit na shihnin si lojtarë me ego të lartë, por arritëm ta ndryshonim këtë perceptim. Pashë fuqinë që kishte ekipi për të bashkuar njerëz nga çdo komunitet.”

Southgate përfundoi se në Britani ka më shumë gjëra që bashkojnë sesa ndajnë: “E kuptoj pse shumë njerëz janë të zhgënjyer. Shumë vende janë në vështirësi ekonomike dhe kjo shtyn dëshirën për ndryshim. Por unë kam parë se kur kombi ynë bashkohet, në momentet më të vështira, ne tregojmë forcën dhe rezistencën tonë më të madhe.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta