Bllokimi financiar i qeverisë në SHBA, nisin shkurtimet e ndihmës ushqimore për 42 milionë amerikanë

03/11/2025 21:34

Qeveria Amerikane ka njoftuar se ndihma ushqimore për rreth 42 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta do të reduktohet gjatë muajit nëntor, për shkak të bllokimit financiar të qeverisë federale, i cili ka hyrë tashmë në muajin e dytë.

Sipas Departamentit të Bujqësisë, administrata do të përdorë 4.65 miliardë dollarë nga fondet e emergjencës për të financuar programin SNAP (ish-kuponët ushqimorë), duke mbuluar vetëm gjysmën e nevojave mujore të familjeve përfituese.

Javën e kaluar, dy gjykatës federalë urdhëruan qeverinë të sigurojë burime shtesë për vazhdimin e programit, i cili kushton 8.5 deri në 9 miliardë dollarë në muaj. SNAP u vjen në ndihmë amerikanëve me të ardhura nën 1,632 dollarë në muaj për një person të vetëm, ose 2,215 dollarë për një çift.

Administrata amerikane argumenton se mungesa e fondeve është pasojë e mosarritjes së një marrëveshjeje buxhetore mes republikanëve dhe demokratëve, të cilët vazhdojnë të fajësojnë njëri-tjetrin për krizën.

Presidenti Trump deklaroi të premten se është i gatshëm të lirojë fondet e nevojshme nëse kështu kërkojnë gjykatat, duke theksuar se “nuk dëshiron që amerikanët të mbeten të uritur”.

Ndërkohë, kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, akuzoi Trumpin dhe republikanët se “po përdorin urinë e miliona qytetarëve si armë politike”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta