Roli i muzikës shqiptare si krijimtari, interpretim dhe edukim ishte në fokus në një konference shkencore mbarëkombëtare që u mbajt në Akademinë e Shkencave, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve artistike e muzikore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Në përfundim të punimeve, pjesëmarrësit dolën me disa rekomandime ndaj institucioneve publike të ngarkuara me ligj, përfshirë mbështetjen e mëtejshme e krijimeve dhe interpretimeve muzikore kombëtare.
“Krijuesit shqiptarë, kompozitorët, nuk kanë një mundësi reale ku të aplikojnë për të gjetur mbështetje për të shkruar një vepër, qofshin opera, balete apo simfoni. Çështja e një fondi të krijimtarisë së re, është një nga çështjet që ka shqetësuar gjithë këto vitet artistëtë. Sepse kjo ndikon jo thjesht në numrin e veprave, por ndikon në shkëputjen e marrëdhënieve të publikut me krijimtarinë muzikore shqiptare, është gjuha e kohës që jetojmë”, shprehet Vaso Tole.
Zëvendës/kryetari i Akademisë së Shkencave vuri theksin te ligji për pagesën e cilësisë artistike.
“Prej 15 vitesh, ka disa detyrime të paplotësuara nga ligji për artin, është një detyrim që duhet të plotësohet nga Këshilli i Ministrave, që lidhet me ‘pagesën e cilësisë artistike’. Pra, duhet të ketë një dysheme të shpërblimit të cilësisë artistike për të gjitha nivelet e atyre që merren me art. Nuk janë më shumë se 300 krijues, interpretues janë më shumë”, shton ai.
Akademikët kërkuan rishikimin e modeleve pedagogjike të mësimdhënies dhe modernizimin e kurrikulave muzikore përmes integrimit të teknologjisë digjitale dhe zhvillimit të kompetencave bashkëkohore për interpretuesit dhe mësuesit.
“Në 2013, nga dy orë mësim në javë që bënin të gjitha shkollat, u bë një orë në javë. Që këtu ka filluar një ngërç, sepse një mësues nuk mund të rrijë në një shkollë me 5 orë, duhet të ketë 20 orë në javë, ku do t’i plotësojë këto orë. Dhe ka ndodhur që mësim muzike ka dhënë edhe mësuesi i gjeografisë”, thotë Arben Llozi.
“Në shkollat tonë, të ketë një repertor të përzgjedhur të krijimtarisë sonë, tradita e fuqishme duhet të reflektohet”, shton Vaso Tole.
Konferenca solli në vëmendje edhe nevojën për hartimin e një strategjie kombëtare me fokus të veçantë te muzika
“Në Shqipëri, 1 në 5900 banorë studion muzikë, vendi më i dobët në Europë është 1 me 150. Por, nëse shkojmë që te Platoni, Ciceroni e me radhë, muzikën e cilësojnë thelbësore. Tani, në të gjithë botën, është bërë pjesë e programeve të studimit muzikoterapia, është vënë re ndikimi i madh që ka muzika te terapia”, thekson Arben Llozi.
Ruajtja dhe digjitalizimi i trashëgimisë muzikore kombëtare mbetet sfidë për të institucionet përgjegjëse, ashtu sikurse garantimi i të drejtës së autorit.
Top Channel