Policia e Kosovës të shtunën ka arrestuar një pjesëtar të Policisë së Serbisë në vendkalimin kufitar në Jarinje, nën dyshimin për “import të paautorizuar të municionit dhe posedim të paautorizuar të armëve dhe materialeve shpërthyese”.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës të dielën, ai u arrestua kur gjatë kontrollit të një veture me targa të Beogradit, e drejtuar nga i dyshuari mashkull kosovar, zyrtarët doganorë dhe policorë zbuluan në bagazhin e veturës 51 fishekë, para të gatshme 9.900 euro dhe 26.000 dinarë serbë ose rreth 220 euro.
Gjatë kontrollit, siç thotë raporti, autoritetet sekuestruan edhe dokumente personale dhe materiale policore, përfshirë kartelën e identifikimit dhe distinktivin e Policisë së Serbisë, kartelën e sindikatës së policisë serbe, letërnjoftimet e Serbisë dhe Kosovës, pasaportën serbe, një palë uniformash, një palë dorëza dhe një USB.
I dyshuari është dërguar në paraburgim.
Top Channel