“Si ta doni”/ Komedia shekspiriane, premierë në Teatrin Kombëtar nga regjisori amerikan John Blondell

01/11/2025 15:38

Komedia e William Shakespeare “Si ta doni” u shfaq premierë absolute në Teatrin Kombëtar, nën interpretimin e një kasti të gjerë e të talentuar aktorësh.

“E gjithë bota është një skenë”, është një ndër shprehjet më të njohura të Shakespeare në këtë vepër, ku trajtohet nderi, morali, feja e mbi të gjitha dashuria.

“Një nga gjërat që më bën të reflektoj me këtë rol është se sa kemi harruar të gjithë të duam njëri-tjetrin. Ky është një nga himnet që ‘Si ta doni” ua kujton të gjithëve. Jemi disi të burgosur nga disa barriera shoqërore, të cilat duhet t’i rrëzojmë dhe të kujtojmë që jemi qenie që jemi krijuar prej dashurisë”, u shpreh aktori Dritan Boriçi.

Rosalind dhe kushërira e saj Celia arratisen drejt pyllit të Ardenit, ku takojnë Orlandon. E maskuar si djalë, Rosalind e josh nën maskën e “shërimit” të dashurisë që ndien për Rosalindën.

“Rozalinda po zbulon njëkohësisht edhe një anë të vetën maskile, kështu që ka momente të caktuara që ajo argëtohet me faktin që është burrë. Shpesh themi nuk e kuptojmë tjetrin, por kjo është mundësi e mirë për t’u vendosur në këpucët e tjetrit”, u shpreh aktorja Luli Bitri.

“Celia do me pastërtinë e një fëmije, është shumë e çiltër… pastaj në pyll, çdo personazh pëson një transformim, është ajo që përpiqet ta mbajë Rozalindën me këmbë në tokë dhe e gjithë kjo dashurisë e saj për Orlandon, e bën pak xheloze”, tregoi aktorja Elia Zaharia.

Personazhet e veprës në fund gjejnë veten, maskat bien dhe të dashuruarit bashkohen.

Kjo premierë rikthen në Tiranë regjisorin amerikan John Blondell, që përmes artit ka gjetur gjuhën e përbashkët të komunikimit me aktorët shqiptar dhe e ka çuar veprën në tjetër nivel përmes integrimit të elementëve tradicionalë.

E dua punën me aktorët shqiptarë, ata janë si sfungjerë. Duan të thithin gjithçka që është në tekst. Janë shumë kuriozë e shumë punëtorë. E pyeta Flaurën nëse mund të këndonte një këngë tradicionale shqiptare, ajo e këndoi dhe më pas më tregoi tekstin për mërgimin. Dhe mendova, kjo është perfekte për publikun shqiptar. Vendosa të bëj një shfaqje më bashkëkohore me kulturën shqiptare të përfshirë”, tha regjisori John Blondell.

Në fund, e qartë është se dashuria na vjen si ta duam! Shfaqja do të vijojë gjatë kësaj fundjave dhe fundjavës së ardhshme në Teatrin Kombëtar.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta