Rritet çmimi i energjisë për taksitë elektrike, shoqata e taksive kundërshton: Vendim pa konsultim

01/11/2025 12:18

Të gjithë drejtuesit e automjeteve që kanë një taksi elektrike do të paguajnë më shumë për çmimin e energjisë që përdorin për karikimin e tyre duke filluar nga sot data 1 nëntor.

Vendimi është marrë nga Enti Rregullator i Energjisë ku u caktua që çmimi i ri që do të paguhet nga 1 nëntori të jetë 22 lekë për kilovat nga 14 lekë që ishte më herët. Ndërsa në orar pik çmimi i shitjes së energjisë elektrike për karikimin e taksive elektrike stacionet e karikimit do të jetë 25.3 lekë.

Marrja e këtij vendimi e ka bërë Shqipërinë ndër vendet e para në rajon që vendos një tarifë të veçantë për këtë kategori energjie.

“Duhet të shtohen pikat e karikimit dhe bizneset të investojnë në fotovoltaikë. Çmimi nuk është i papërballueshëm, por familjet duhet të jenë të kujdesshme me karikuesit e instaluar në banesa”, u shpreh Azmer Duleviç, ekspert energjie.

Në analizën më të fundit FSHU bënë të ditur se kostot e transmetimit, shpërndarjes dhe blerjes së energjisë elektrike janë rritur ndjeshëm si rrjedhojë e konsumit nga pikat/stacionet e karikimit të makinave elektrike me fuqi të instaluar mbi 11kW.  Analizë e cila soli dhe marrjen e këtij vendimi

Por për shoqatën e taksive, vendimi dëmton operatorët që përdorin mjete elektrike dhe përbëjnë 60% të flotës aktive.

“Vendimi është marrë pa konsultim. Kemi kërkuar anulimin e tij dhe nëse nuk ndodh, do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore, deri edhe në grevë”, u shpreh Xhevit Bara nga Shoqata Shqiptarë e Taksive.

Një makinë elektrike me bateri 60 kilovat-orë, që më parë karikohej me rreth 840 lekë, do të kushtojë tashmë 1,320 lekë, ndërsa në orët e pikut deri në 1,518 lekë.

Aktualisht në vend deri në maj 2025 numri i makinave elektrike të regjistruara arriti  në 8 mijë e 43. Një rritje 26% për 5 muajt e parë vitit.

 

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta