Zv.kryeministrja Belinda Balluku merret e pandehur, SPAK reagon zyrtarisht: Akuza për shkelje të barazisë në tendera

31/10/2025 16:40

Numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku kaloi këtë të premte derën e Prokurorisë së Posaçme ku u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

Për më pak se 60 minuta përballë prokurorit Dritan Prenci asaj iu parashtruan faktet për të cilat dyshohet.

Për zëvendëskryeministren njëkohësisht ministren e infrastrukturës dhe energjisë kjo përballje me organin e akuzës është vetëm një proces.

Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e prokurorisë së posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike e shikoj si një proces, një proces si cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet drejtësisë teke cila besoj.

Pak para orarit që shënonte fletëthirrja e Ballukut në këtë prokurori u paraqit motra e Ballukut, Pamela Qirko, njëherësh mbrojtësja e saj ligjore në këtë proces që sapo ka nisur.

Në një njoftim zyrtar Prokuroria e Posaçme thotë se Balluku është marrë e pandehur dhe po hetohet për veprën penale Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim Hetim ky i bashkuar me një tjetër të nisur një vit më parë.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18.9 miliardë lekë pa TVSH. 

SPAK sqaroi edhe faktin se kjo ishte hera e dytë që njoftonte zv. kryeministren për tu paraqitur pasi fletëthirrjes së parë ajo iu përgjigj negativisht. Më pas fletëthirrja u ripërsërit këtë të premte.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta