Dajma ka vetëm 7 ditë që ka ardhur në jetë. Ndodhet në spital, e intubuar për shkak të probleme me zemrën. Jo shumë metra larg saj, në stolat e spitalit, dëgjohen të qarat e gjyshes, gjyshit dhe të ëmës së saj.
Sot ‘Për Shqiptarët’ sollën rastin e Dajmës, foshnjës vetëm 7-ditëshe e cila është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë në zemër.
Gjyshi i saj, Ardian Fejzollari i cili bën apel për ndihmë, ka treguar historinë e mbesës së tij të vogël, e cila nuk gëzon një jetë si foshnjat e tjera por është duke u mbajtur në jetë në mënyrë artificiale.
“Po e mbajnë aktualisht në jetë artificialisht. Unë shkoj rrugëve, gjej cepa e qaj atje. Kurrë në jetën time nuk jam ndjerë më i hidhëruar, më bosh e më keq se këto 6 ditë. Kanë qenë 6 ditë tmerri. Varrit do t’ja tregoj. Në shtëpi nuk më vihet. Nuk mundem. Dal jashtë, e mundohem të gjej cepa ku mund të shfryj. Nuk është e lehtë për një burrë të qajë, ma besoni.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, shikoj njerëz që ecin përdore me fëmijë, me kalamaj nëpër karroca… shpresoj o Zot, shpresoj shumë, ta bëj këtë me mbesën time. Të dilja me vajzën e mbesën, të dilja me to. Do ishte më e madhja kënaqësi, të dëgjoja fjalët e saj të para, të më thoshte gjyshi”, rrëfen mes lotëve Ardiani.
E ëma e Dajmës tregon e përlotur të gjithë dhimbjen që po kalon prej një jave.
“Kur jam bërë nënë për herë të parë, aty ishte situata më e vështirë e jetës ime. Që nga momenti që lindi, Dajma hyri në inkubator. Ditën e nesërme u dallua që kishte një problem në zemër. Nuk e kam marrë asnjëherë në krahë, për t’i ndierë erën”, tregon ajo.
Babai i Dajmës është thellësisht i tronditur. Ai nuk ka mundësi ta dërgojë të bijën për kurim. I rraskapitur nga lodhja, thotë se qëndron me celularin në dorë gjatë gjithë kohës, me frikën se do vijë një moment i hidhur, kur celulari të bjerë.
“Njëra anë mendoja si po shkonte Sara, nga njëra anë ishte vajza. Arritëm në Tiranë me urgjencë. Aty na thanë që vajza ka problem të rëndë në zemër. Për ne ishte fundi jetës aty… Dajma për mua është gjithçka. Unë jetën e rrotulloja rreth saj. Mendoja, të tre ato netë pa gjumë do t’i shijonim derisa vajza të rritej, por jo… ne tani rrimë me telefonin në dorë, me frikën se nga momenti në moment, do të vijë telefonata për të na lajmëruar”, thotë babai i foshnjës 1 javëshe.
Top Channel