Qëkur ishte në kopsht, prindërit vunë re se Antigona kishte një deformim në shtyllën kurrizore. Deformimi i vogël shumë shpejt u kthye në një makth që zgjati me vite e solli vuajtje të pafundme.
Antigona hante në tokë sepse nuk rrinte dot në karrige. Korsetë në trup të saj, nuk e ndalonin dot përkeqësimin e sëmundjes. Një vajzë sot vetëm 15 vjeçe ka kaluar shumë, duke u përballur me sëmundjen që nuk e linte të ishte si të tjerët.
Ajo ishte sot pjesë e studios së “Për Shqiptarët”, për të treguar rastin e saj dhe triumfin ndaj sëmundjes dhe njëherazi për të dhënë një mesazh edhe për të gjithë të tjerët që mund të jenë në vendin e saj.
“Jeta ime ishte shumë ndryshe përpara. Nuk haja dot në tavolinë me familjarët. Nuk mund të rrija dot ulur, nuk mund të luaja dot. Shoqet e mia luanin, unë rrija i shikoja. Rrija si e strukur dhe e fshehur, që të tjerët të mos e dallonin problemin tim. Nuk mund ta shpjegoj dot me fjalë, por ndihesha shumë keq. Shikoja veten në pasqyrë e mendoja se kurrë nuk do të bëhesha mirë”, kujton Antigona.
“Por Zoti bëri mrekullinë. Tani jam në klasën e nëntë. Është shumë emocionuese për mua, sepse kam filluar të eci përpara, jam e shëruar. Kur shikoj veten time në pasqyrë të drejtë, nuk ka lumturi më të madhe për mua. Tani kërcej, luaj, takoj shoqet. Nuk kam shpëtuar vetëm nga skolioza, por kam fituar një jetë të re”, tregon Antigona.
“Jeta Antigonës ka qenë shumë e vështirë. Ka qenë në kopësht, kur e kemi marrë vesh se ka pasur shtyllën të deformuar. Kur shkonte në shkollë, nuk kishte shumë shoqëri, nuk i rrinte njeri afër, nuk e përkrahnin. Asaj i dhimbte trupi e mua më dhimbte shpirti”, u shpreh nëna e saj.
Ajo tregon se gjendja ishe shumë e rëndë, por fal ndihmës së Fondacionit Firdeus, vajza e saj sot është shëndosh e mir%.
“Ishte shumë keq, aq sa doktori na tha që nëse nuk ndërhyhet, vajza nuk ka jetë. Por Zoti bëri mrekulli, më ndihmoi Elvis Naçi. Ishte dita më e lumtur e jetës sime kur mora lajmin se vajzën e morën përsipër, se erdhi një zgjidhje”, u shpreh nëna.
Top Channel