 
																		 
								
			Si rezultat i një hetimi intensiv të ndjekur me metoda speciale, për disa javë, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, u finalizua megaoperacioni “Muzeu i errët”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit A. H., 20 vjeç dhe I. Gj, 30 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi J. H., 42 vjeç, të tre banues në Kamzë.
Nga hetimet dyshohet se 3 shtetasit, të organizuar si grup, trafikonin në Shqipëri, objekte me vlera historike dhe kulturore, të vjedhura në shtete të ndryshme të Europës. Objektet, të cilat siguroheshin kryesisht nga shtetasi i arrestuar I. Gj., trafikoheshin me qëllim shitjen në vendin tonë, në kundërshtim me ligjin.
Nga kontrolli në banesën e shtetasve A. H. dhe J. H. (babë e bir), në Kamzë, u gjetën:
-31 punime druri të gdhendura me motive të ndryshme;
-3 skulptura në formë dhëmbi elefanti;
-6 piktura të autorëve të huaj;
-411 albume me pulla poste të shteteve të ndryshme të botës;
-një procesverbal origjinal francez, i vitit 1925;
-objekte të tjera me vlera artistike dhe historike (një shpatë metalike, një skulpturë shqiponje, një vazo qelqi dhe një valixhe druri me punime dekorative).
Punohet për kapjen e shtetasit J. H., si dhe vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel