Janë bërë gati 8 vite që nga vërshimi i lumit Fan në dhjetor të vitit 2017, por familja Pjetri nga fshati Peshqesh, Njësia Administrative Orosh, Bashkia Mirditë, vazhdon të jetojë në kushte mjerimi.
Lumi i mori shtëpinë dhe bashkia e strehoi në një kontenier të vogël metalik, ku Agustin Pjetri jeton sot i vetëm dhe i sëmurë, në pritje të një dëmshpërblimi që nuk vjen kurrë.
Agustin Pjetri kujton ditën kur lumi Fan i mori gjithçka.“Në vitin 2017 shtëpinë time e mori lumi Fan. Që prej asaj kohe bashkia më solli një kontenier për të jetuar. Kam shkuar në Njësinë Administrative Orosh dhe më dhanë një dokument që konfirmon se banesa ime është në rrezik. Kam shkuar në bashki dhe më thonë se dosja është në Tiranë. Para dy vitesh ndërtova një dhomë të vogël me lekë borxh, sepse s’mund të rrija më në kontenier. Jam i divorcuar dhe vuaj nga epilepsia,” rrëfen ai për Fiks Fare.
Pjetri tregon se çdo derë që ka trokitur i është mbyllur me justifikime burokratike. “Askush nuk merr përgjegjësi. Të gjithë më thonë ‘prit, se do vijë një përgjigje nga lart’. Por kanë kaluar 8 vite dhe unë ende s’kam asnjë letër që më njeh si dëmtuar nga përmbytja.”
Fiks Fare pyeti administratorin e Njësisë Administrative Orosh, Gjin Prenga, i cili pranoi se e njeh situatën, por tha se dokumentet janë dërguar më herët nga vetë qytetari.
“E njoh rastin e Agustinit. Shtëpinë ia ka dëmtuar lumi, por ai s’ka ardhur tek unë. Mesa di, para katër vitesh ka qenë tek administratori i mëparshëm dhe dokumentet i ka çuar vetë në bashki. Kjo problematikë, sipas meje, lidhet edhe me ndërtimin e rrugës së re, ndaj mendoj se duhet parë edhe përgjegjësia e ARRSH-së,” tha Prenga.
Megjithatë, ai pranon se në këto vite nuk është marrë asnjë masë konkrete për të ndihmuar Pjetrin apo banorët e tjerë që kanë humbur banesat nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës. Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, në një prononcim për Fiks Fare, deklaroi se nuk është vetëm Agustin Pjetri që pret dëmshpërblim, por edhe 22 familje të tjera në zona të ndryshme të bashkisë.
“Është një situatë që prek 23 familje. Rasti i Agustinit është nga vërshimi i lumit Fan, ndërsa në raste të tjera kemi rrëshqitje të tokës nga erozioni. Ligji kërkon që familjet të kenë certifikatë pronësie për truallin ku do ndërtohet shtëpia e re, për të marrë fondin e rindërtimit. Ne kemi bërë disa herë shkresa Ministrisë së Mbrojtjes për të gjetur një zgjidhje alternative, sidomos për ata që nuk kanë dokumente pronësie, por nuk kemi marrë ende përgjigje,” – u shpreh kryebashkiaku.
Melyshi shtoi se mungesa e pronësisë ligjore është arsyeja kryesore që këto familje mbeten pa përfitim, edhe pse dëmet janë verifikuar prej vitesh.
Pas 8 vitesh, asnjë dëmshpërblim, asnjë banesë e re. Vetëm premtime të përsëritura dhe dosje që mbeten pezull.
Top Channel