U rrëzua ngritja e komisioneve hetimore, Berisha: U bllokua hapësira e opozitës, qytetarët do thonë fjalën e tyre

30/10/2025 22:55

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër pas rrëzimit të kërkesës së opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare.

Në një prononcim jashtë sallës së Kuvendit, ai e cilësoi këtë vendim si shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të të drejtave të opozitës, duke akuzuar mazhorancën për “bllokim të qëllimshëm të kontrollit parlamentar”.

Berisha tha se mazhoranca ka vepruar në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij e ka sanksionuar qartë se e drejta e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore është e pakushtëzuar dhe e patjetërsueshme.

“Pseudo-mazhoranca në mënyrën më antikushtetuese i mohoi opozitës të drejtën më themelore që ka në parlament – Komisionin Hetimor. Kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe një përpjekje për të mbuluar aferat korruptive të qeverisë”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se qeveria po pengon çdo përpjekje të opozitës për të hetuar shkeljet zgjedhore dhe për të zbardhur skandalet që përfshijnë zyrtarë të lartë të shtetit.

“Në kushtet e një parlamenti që bllokon tërësisht hapësirën e opozitës, qytetarët do të jenë ata që do të thonë fjalën e tyre”, theksoi Berisha, duke paralajmëruar se opozita do të mblidhet për të vendosur hapa të mëtejshëm në mbrojtje të të drejtave kushtetuese.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta