Dështimi i formimit të qeverisë në Kosovë, presidentja Osmani fton në takim partitë politike
Duke kujtuar se Hashim Thaçi prej vitesh tashmë po mbahet në burg pa gjyq, i dërguari i Presidentit Amerikan Donald Trump për Misione të Veçantë, Richard Grenell, e kritikoi ashpër procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish presidentit të Kosovës në Gjykatën Speciale të Hagës.
Grenell, i cili ika qenë prej kohësh një nga njerëzit më pranë Trumpit, shkoi deri aty sa ta përshkruante rastin e Thacit si shembull ilustrues të atij që e cilësoi dështim të Europës, teksa shtoi se një numër i madh politikanësh evropiane po zgjedhin të mbyllin sytë përpara kësaj.
“Ka shumë arsye përse Evropa po dështon. Por një shembull është numri i madh i politikanëve europianë që heshtin për Hagën e cila mban një Kryetar Shteti në burg për 5 vjet pa gjyq. Dhe pastaj gjyqi zgjat më shumë vite. Është një sistem brutal arkaik i drejtuar nga elitat”, ka shkruar Grenell në platformën X.
Ai nuk mjaftohet me kaq, por në fund të postimit, kishte edhe një këshillë për ish kreun e shtetit të Kosovës. “Shpresoj që Hashim Thaçi t’i padisë të gjithë në Hagë në një Gjykatë Amerikane kur të jetë jashtë. Në fund të fundit, janë para të taksapaguesve amerikanë”, vazhdonte mesazhi i tij. Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të mirëfilltë komande.
Top Channel