Biznesi me energji në treg të lirë/ 2400 kompani nga viti 2026 nuk do të furnizohen më nga OSHEE për tensionin 6 KV

30/10/2025 17:22

Nga fillimi i vitit 2026, rreth 2,400 biznese që furnizohen me energji në nivelin 6 kilovolt do të kalojnë nga sistemi i rregulluar te tregu i lirë. Kjo do të thotë se ato do të duhet ta blejnë vetë energjinë elektrike, duke zgjedhur ndërmjet furnizuesve privatë ose përmes bursës së energjisë.

Sipas Autoritetit të Furnizuesit të Tregut të Lirë, ky është një tjetër hap drejt liberalizimit të plotë të tregut energjetik, me synim rritjen e konkurrencës dhe transparencës në formimin e çmimit.

“Ky hap është në përputhje me planin e qeverisë për hapjen graduale të tregut. Me futjen e bizneseve 6 kV, rreth 80% e konsumit të sektorit jo-familjar do të kalojë në treg të lirë. Procesi pritet të ndihmojë edhe në zhvillimin e tregut vendas, ndërsa konsumatorët familjarë do të mbeten për momentin nën sistemin e mbrojtur”, është shprehur administratori i furnizuesit të tregut të lirë, Albi Gjenerali.

FTL njofton se kalimi në tregun e lirë do të shoqërohet me monitorim të vazhdueshëm, për të garantuar që asnjë subjekt të mos mbetet pa energji gjatë kësaj faze tranzicioni.

“Ne do të asistojmë bizneset që të regjistrohen dhe të lidhin kontratat me furnizuesit e rinj, në mënyrë që kalimi në tregun e lirë të jetë sa më i qetë dhe pa ndërprerje energjie”, shtoi ai.

Liberalizimi I tregut po kryhet aktualisht  ndërsa me këtë hap, Shqipëria po afrohet edhe më shumë me modelin evropian të tregut të energjisë, ku çmimi përcaktohet nga konkurrenca dhe jo nga rregullimi shtetëror.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta