“Kam lindur në Shqipërinë e diktaturës”, eurodeputetja shqiptaro-suedeze flet për TCH: Shansi të anëtarësoheni brenda 2030, politikanët të bashkëpunojnë

29/10/2025 21:42

“Unë kam lindur në Shqipërinë e Diktaturës dhe kam ikur në Suedi kur kam qenë e vogël. Historia e familjes time ka ndikuar shumë që të jem pjesë e politikës në Suedi”. Kështu e nis intervistën për Top Channel, eurodeputetja Arba Kokalari.

Politikania shqiptaro-suedeze që ndodhet në Tiranë si pjesë e grupit të eurodeputetëve që morën pjesë në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim – Asocimit Shqipëri–BE, u bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të bashkëpunojnë në këtë moment të rëndësishëm.

Në intervistën për gazetaren e Top Channel, Alma Demiraj, ajo thotë pasi ky është një moment kur shumë shtete të Europës kanë dhënë miratimin për anëtarësimin e vendit tonë në BE.

“Unë e di që edhe mazhoranca dhe opozita kanë dëshirë që Shqipëria të jetë në BE. Do ishte mirë që ato të bashkëpunim së bashku. Sidomos që Shqipëria ka tani një momentum historik, sepse të gjitha shtetet e Bashkimit Europian duan që Shqipëria të hyjë në BE”, thotë Kokalari.

Eurodeputetja Kokalari theksoi Shqipëria ka bërë progres real dhe po ecën me hapa të shpejtë, falë edhe reformave të realizuara.

“Shqipëria ka avancuar shumë. Ligjet dhe reformat e BE-së janë të vështira, nuk janë të lehta. Por Shqipëria ka avancuar shumë shpejtë dhe kjo më gëzon. Grupkapitujt që janë hapur thuajse të gjitha, është një sinjal që Shqipëria po bën reformat që duhen”, shton eurodeputetja shqiptare.

Sa i përket klimës politike tejet të polarizuar në vendin tonë, Kokalari theksoi procesi i anëtarësimit nuk është politik, por përmbushje detyrash nga çdo shtet që synon të jetë pjesë e unionit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta