Çmenduria e koreanit për fanellën e Cristiano Ronaldos, i jep portugezit rekordin e radhës
Ëndrra e Kevin De Bruyne për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të verës së ardhshme është vënë seriozisht në rrezik.
Mesfushori belg i Napolit ka pësuar një dëmtim të rëndë në kofshë gjatë ndeshjes ndaj Interit, ku shënoi nga penalltia në fitoren 3-1 të ekipit napolitan.
Sipas burimeve pranë futbollistit, bëhet fjalë për një çarje të thellë të muskulit të kofshës, pikërisht në të njëjtin vend ku ai u operua në vitin 2023. Ky dëmtim pritet ta mbajë jashtë fushave për të paktën katër muaj, duke vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në Botërorin që nis më 28 qershor.
De Bruyne i është nënshtruar sërish një operacioni, i cili ka rezultuar i suksesshëm, por rikuperimi i plotë do të kërkojë kohë. Ai tashmë ka lënë Italinë për t’u rikuperuar në Belgjikë, pranë familjes së tij.
Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, belgu mund të rikthehet në stërvitje vetëm në fund të marsit, duke rrezikuar seriozisht përgatitjet me kombëtaren belge, e cila pritet të sigurojë zyrtarisht kualifikimin në Botëror muajin e ardhshëm.
Edhe Napoli ka shqetësime të mëdha, pasi ky dëmtim mund të mbyllë sezonin e tij, me De Bruyne që ka zhvilluar vetëm tetë ndeshje në Serie A që prej transferimit të tij verën e kaluar.
Pas një dekade të suksesshme te Manchester City, ku fitoi gjashtë tituj të Premier League, belgu iu bashkua Napolit si lojtar i lirë, duke firmosur një kontratë dyvjeçare me pagë rreth 5 milionë paund në vit.
Dëmtimi i fundit përbën një goditje të rëndë si për Napolin, ashtu edhe për kombëtaren belge, që shpresonte të kishte në formë liderin e saj për një tjetër Botëror.
Top Channel