Rasti i fundit i Josep Martinez, portierit të dytë të Interit, i përfshirë në një aksident fatal në Appiano Gentile ku humbi jetën një i moshuar, ka rikthyer në vëmendje një listë të gjatë ngjarjesh tragjike që kanë përfshirë futbollistë ndër vite.

Disa prej tyre kanë përfunduar në humbje jete, të tjerë kanë ndryshuar përgjithmonë karrierat e sportistëve të njohur.

Nga Favalli te Scirea: aksidentet që shuan idhuj

Në qershor të vitit 1965, Armanno Favalli, lojtar i Foggias, humbi jetën në një aksident rrugor teksa udhëtonte drejt Kremonës. Vetëm dy vjet më pas, në tetor 1967, Gigi Meroni i Torinos u godit për vdekje nga një makinë pas një ndeshjeje kundër Sampdorias.

Në prill 1979, ish-lojtari i Milanit dhe Romës, Paolo Barison, gjeti vdekjen pas një përplasjeje ballë për ballë me një kamion pranë Savonës.

Një tjetër tragjedi e madhe ndodhi në shtator 1988, kur Gaetano Scirea, një prej mbrojtësve më të mëdhenj të futbollit italian, vdiq në Poloni pas shpërthimit të makinës ku ndodheshin bidona me benzinë.

Tronditjet e viteve ’80 dhe 2000

Në dhjetor 1983, lojtarët e Lecces, Ciro Pezzella dhe Michele Lorusso, humbën jetën në një aksident teksa udhëtonin drejt Barit.

Në vitin 2001, Niccolò Galli, djali i ish-portierit Giovanni Galli, vdiq tragjikisht në moshën 17-vjeçare pas një aksidenti me motor në Bolonja.

Në vitet pasuese, futbolli do të humbiste edhe emra të tjerë: Dirceu në Brazil (1995), Federico Pisani i Atalantës (1997) dhe Vittorio Mero i Brescias (2002), për të cilët klubet respektive tërhoqën fanellat me numrat që mbanin në nder të tyre.

Nga Reyes te Jota: tragjeditë moderne

Në vitin 2007, Lucien Mayélé, sulmues i Chievos, humbi jetën në një aksident në Verona.

Në qershor 2019, futbollisti i njohur spanjoll José Antonio Reyes u vra në një aksident me makinën e tij luksoze, ndërsa udhëtonte në autostradë.

Tragjedia më e fundit është ajo e Diogo Jota, yllit të Liverpoolit dhe Portugalisë, i cili, së bashku me vëllain e tij André, humbi jetën në një aksident gjatë pushimeve në Spanjë.

Aksidentet që lanë plagë, por jo viktima

Jo të gjitha aksidentet përfunduan me fatalitete. Në vitin 1993, Gianluigi Lentini i Milanit mbeti në koma pas një aksidenti të rëndë me makinë. Edhe pse mbijetoi, ngjarja i shkurtoi ndjeshëm karrierën.

Në mars 2023, Sofian Kiyine u përplas me murin e një palestre në Belgjikë, duke pësuar fraktura të shumta, ndërsa në shkurt 2025, Elliot Lee, mesfushori i Wrexham, shpëtoi për mrekulli pas një përplasjeje të fortë automobilistike.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta