Renditja provizore/ Egnatia i “ngjitet” Vllaznisë, Bylisi shkëputet nga Partizani e Tirana
Bylisi ka arritur një fitore të rëndësishme në javën e nëntë të Kategorisë Superiore, duke mposhtur Vorën me rezultatin 2-1 në Ballsh.
Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa tregoi karakter të fortë, edhe pse luajti mbi 70 minuta me një lojtar më pak në fushë.
Kapiteni Marin Abazaj u ndëshkua me karton të kuq që në minutën e 17-të, pas një ndërhyrjeje ndaj Karricës, duke e vënë ekipin vendas në vështirësi. Megjithatë, Bylisi reagoi menjëherë dhe në minutën e 22-të gjeti avantazhin me anë të Ualisonit.
Në pjesën e dytë, Vora arriti të barazojë rezultatin me golin e Karricës në minutën e 57-të. Fillimisht, goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas verifikimit në VAR, ai u konsiderua i rregullt.
Edhe pse në inferioritet numerik, Bylisi nuk u dorëzua. Në minutën e 77-të, pas një aksioni të shpejtë, Sanogo detyroi portierin Ruçi të dërgonte topin në rrjetën e vet, duke i dhënë ballshiotëve avantazhin dhe në fund, tre pikët e plota.
Pas kësaj fitoreje, Bylisi largohet nga fundi i tabelës, ndërsa Vora mbetet me 10 pikë, vetëm një më shumë se kundërshtari i sotëm.
Rezultati përfundimtar:
BYLIS 2–1 VORA
22’ Ualison, 77’ (Autogol) Ruçi / 57’ Karrica
Top Channel