Tensionet e ‘El Clasico’ te Spanja? Te ‘La Roja’ besojnë te inteligjenca e futbollistëve

27/10/2025 20:30

Ajo cfarë ndodhi në El Clasico, para, gjatë e sidomos pas fërshëllimës së fundit të arbitrit Soto Grado, nuk është pëlqyer aspak, sidomos kur mendon përfaqësuesen spanjolle teksa një pjesë e lojtarëve të të dyja skuadrave veshin fanelën e ‘La Roja’

Megjithatë duket se te skuadra e Spanjës nuk janë ndezur sirenat e alarmit pas asaj që ndodhi pasditen e së dielës. Sipas të përditshmes spanjolle ‘Marca’, te stafi i skuadrës kampione të Evropës janë të sigurt se inteligjenca e futbollistëve do të prevalojë mbi të gjithë këtë zhurmë që mund të krijohet. Po kështu te La Roja të gjithë besojnë se cfarë ndodhi këtë vit nuk ka lidhje me atë të pranverës së vitit 2011 edhe pse dikush kujton se pas atij momenti të tensioniar, Spanja në 2012 fitoi Evropianin

Në Euro 2024 kur Spanja triumfoi në Gjermani, një nga celësat e suksesit të skuadrës së drejtuar nga Luis De La Fuente, ishte pikërisht raporti mes Dani Carvajal dhe Lamine Yamal të cilët kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer në krahë në fushën e lojës. De La Fuente gjithnjë është mburrur për ambientin fantastik që përjetohet te kombëtarja spanjolle dhe në Las Rozas të gjithë janë të sigurt se kjo nuk do të ndryshojë edhe pse mund te këtë pak shqetësime për atë cfarë ndodhi. Ajo që kujtohet është festa e këtyre dy lojtarëve për golin e Carvajal ndaj Kroacisë.

Por le të kthehemi pak në kohë në 2011, por duhet theksuar se janë kohë të ndryshme. Në atë kohë u vlerësua shumë mesazhi paqësor I Xabi Alonsos pas ndeshjes: ‘Nuk kemi pse të trembemi për këtë përplasje të shëndetshme e brenda respektit’-kanë qenë fjalët e Xabi Alonsos në atë kohë kur ishte futbollist i Realit të Madridit. Por struktura e kombëtares spanjolle në atë kohë nuk kishte aspak të bënte me këtë të ekipit aktual.

Spanja e 2011 ishte një skuadër e përbërë nga dy blloqe lojtarësh të fortë; të Realit të Madridit e të Barcelonës. Kurse skuadra aktuale ka shumë futbollistë të Barcelonës, kurse nga Los Blancos janë Carvajal dhe Huijsen. Për më tepër, nga La Roja sigurojnë se janë shumë lojtarë që kanë zë të fortë në skuadër: Unai Simón, Rodri, Laporte, Morata(nëse kthehet) Mikel Merino, David Raya…lojtarë me shumë peshë mbi shokët e skuadrës.

Tani mbetet për të parë se cfarë do të ndodhë me Spanjën që do të nisë grumbullimin në 10 nëntor, ndërkohë që De La Fuente do të publikojë listën në 7 nëntor dhe është e imagjinueshme se tema kryesore për t’u diskutuar do të jetë pikërisht ajo cfarë ndodhi në El Clasicon e 26 tetorit.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta