Moti i keq prek edhe qarkun e Shkodrës, bllokohet rruga nacionale Pukë–Fushë Arrëz, mungesë energjie në disa fshatra Edhe mëngjesin e sotëm, qarku i Kukësit është përfshirë nga moti i keq, me reshje shiu dhe erëra të forta.
Pas orës 08:00, reshjet e shiut janë ndërprerë, por në disa akse rrugore rurale dhe kombëtare janë shënuar rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh në rrugë.
Sipas informacioneve paraprake, disa rrugë rurale të fshatrave të Kukësit, si Lojme, Bele, Cërnalevë, Oreshkë, Zapot, Orgjost, Nimçë etj., kanë pësuar dëmtime për shkak të shembjeve të dherave.
Ndërkohë, në akset kombëtare Kukës–Bushticë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë dhe Fierëz, ka prezencë të gurëve të rënë në rrugë.
Disa fshatra të zonave të thella të Kukësit vijojnë të kenë probleme me furnizimin me energji elektrike.
Megjithatë, reshjet e shiut kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të situatës hidrike në Liqenin e Kukësit, si rezultat i rritjes së ndjeshme të prurjeve në lumenjtë Drini i Zi, Drini i Bardhë dhe lumi Luma.
Rrënojat e Kukësit të Vjetër, që ndodhen në këtë basen, tashmë janë mbuluar nga uji. Pamjet tregojnë se niveli i ujit po rritet me disa metra në ditë, duke i dhënë një frymëmarrje prodhimit të energjisë elektrike në vend, pas periudhës së thatësirës së tejzgjatur.
Situata në Qarkun Kukës deri më tani:
I gjithë territori i Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar.
Si rezultat i reshjeve rrugët nacionale kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve.
Nga subjektet kontaktore është punuar gjatë gjithë ditës për pastrimin dhe mbajtjen e tyre funksionale.
Top Channel