Raportimi i fundit i kreut të SPAK në Kuvend, Rakipllari në “Top Story”: Mandat historik i Dumanit, për herë të parë u hetuan nivele të larta politike

27/10/2025 22:43

Seanca në Parlament për raportimin e kreut të SPAK, Altin Dumani, u shoqërua me tensione dhe skena të pazakonta.

Mazhoranca zgjodhi të mos bëjë pyetje, duke i lënë fjalën vetëm opozitës, ndërsa vetë Dumani lexoi paraprakisht pyetjet dhe përgjigjet e përgatitura.

Drejtori i informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari, thotë në “Top Story” është moment historik emërimi dhe mandati 3-vjeçar i Dumanit, ku për herë të parë u hetuan nivelet më të larta të politikës si ish-kryeministër, ish-president, kryebashkiakë

“Duke pasur parasysh historinë e drejtësisë shqiptare pas ’90-s, që ose është përdorur nga politika dhe nuk ka hetuar në nivelet e saj të larta, Dumani ka bërë historinë e jurisprudencës shqiptare. Është moment historik emërimi dhe mandati i tij 3-vjeçar, ku për herë të parë u hetuan nivelet më të larta të politikës si ish-kryeministër, ish-president, kryebashkiakë, ministra etj”, tha ndër të tjera Rakipllari.

Ky format i paprecedentë i seancës u kthye në një arenë akuzash të ashpra ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, ku deputetët e opozitës shfrytëzuan minutat e tyre për të hedhur akuza të rënda, ndërsa mazhoranca qëndroi në heshtje.

Sipas asaj që thotë Rakipllari, burime nga Kuvendi thonë se pas raportimit në Komisionin e Ligjeve kishte pasur shqetësim nga faktorët ndërkombëtarë për mënyrën se si disa deputetë opozitarë replikuan drejtpërdrejt me Dumanin, ndërsa këtë herë u zgjodh një qasje më e kontrolluar.

Megjithatë, seanca degjeneroi në akuza personale dhe tensione politike, duke e kthyer diskutimin mbi drejtësinë në një përplasje të hapur mes palëve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta