Pas shkarkimit të Tudor, Juventus në kërkim të trajnerit të ri/ Spalletti në “pole position”, Palladino dhe Mancini në listë

27/10/2025 20:06

“Revolucioni” i ri i Juventusit ka dështuar në mënyrën më të papritur. Pas rezultateve zhgënjyese dhe mungesës së një identiteti të qartë në lojë, Igor Tudor është shkarkuar nga drejtuesit bardhezi, duke i hapur rrugë një epoke të re në stolin e klubit torinez.

Tani e ardhmja është në duart e atyre që mund të marrin përsipër një detyrë të ndërlikuar: ringritjen e Juventusit. Emri më i përfolur është ai i Luciano Spallettit, ish-trajnerit të Italisë, i cili – sipas mediave italiane – po pret vetëm një telefonatë nga drejtuesit e klubit. Nëse ajo do të vinte, Spalletti do të nisej menjëherë drejt Continassa-s për të nisur punën.

Spalletti, që ka refuzuar oferta nga jashtë Italisë, e sheh Juventusin si një mundësi të artë për t’u rikthyer në një projekt ambicioz, me një skuadër që ai e konsideron të përshtatshme për stilin e tij të futbollit. Pas zhgënjimit të Euro 2024 me kombëtaren italiane, ai dëshiron një sfidë të madhe për t’u rikthyer në majat e futbollit, dhe stoli bardhezi përbën pikërisht këtë mundësi.

Ndërkohë, Raffaele Palladino mbetet një opsion real për drejtuesit e Juventusit. Ish-trajneri i Monzës shihet si një alternativë më e lirë ekonomikisht, në një moment kur klubi është ende financiarisht i ngarkuar nga kontratat e Thiago Mottas, stafit të tij dhe vetë Tudor-it. Palladino gëzon mbështetjen e drejtorit sportiv Modesto, me të cilin ka punuar më parë në Monza dhe ndan një vizion të përbashkët për futbollin modern.

Në listë, më në prapaskenë, është edhe Roberto Mancini, megjithëse ai shihet si një zgjidhje më e vështirë për t’u realizuar në këtë fazë.

Epoka pas Tudor-it ka nisur tashmë. Juventus përballet me një javë të ngjeshur: Udinese në mesjavë, Cremonese të shtunën dhe Sporting Lisbon pas një jave – ndeshje vendimtare për të mos rrezikuar vazhdimësinë në Ligën e Kampionëve.

Drejtuesit e klubit kërkojnë ta mbyllin çështjen e trajnerit sa më shpejt, pasi rikthimi i stabilitetit është prioriteti numër një në Torino. Dhe në horizont, Luciano Spalletti duket gjithnjë e më afër stolit bardhezi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta