Krizë financiare në stol/ Shkarkimi i Tudor i kushton rëndë Juventusit, tre trajnerët me kosto më të ulët

27/10/2025 21:07

Pas shkarkimit të Igor Tudor, Juventusi po përballet me një tjetër pasojë të rëndë: faturën e kripur financiare që vjen si rezultat i ndryshimeve të shpeshta në stolin bardhezi.

Klubi torinez pritet të rrisë ndjeshëm buxhetin e dedikuar për trajnerët, një situatë që rrezikon të rëndojë arkën e klubit dhe të ndikojë në lëvizjet e ardhshme në merkato.

Në këtë moment, Juventus ka ende në listën e pagave ish-trajnerin Thiago Motta dhe tashmë duhet të mbulojë edhe koston e shkarkimit të Tudor-it, si dhe pagën e trajnerit të ri që do të marrë drejtimin e skuadrës.

Sipas të dhënave financiare, për shkarkimin e Thiago Mottës, “Zonja e Vjetër” ka lënë mënjanë mbi 16.3 milionë euro, të regjistruara në bilancin që përfundon më 30 qershor 2025. Kjo shumë mbulon pagat e trajnerit dhe stafit të tij deri në fund të sezonit 2026/27.

Ndërkohë, për Igor Tudor, shifrat zyrtare ende mungojnë, por sipas burimeve pranë klubit, paga e trajnerit kroat vlerësohet të jetë rreth 5.5 milionë euro bruto në vit, për një total që mund të kalojë 11 milionë euro deri në vitin 2027 — pa përfshirë shpenzimet e stafit të tij ndihmës.

Në total, nëse as Tudor dhe as Motta nuk arrijnë marrëveshje me klube të tjera ose ndarje të reja kontraktuale, Juventus do të duhet të paguajë rreth 30 milionë euro deri në fund të vitit të ardhshëm vetëm për trajnerët që nuk janë më në stol.

Kësaj shifre do t’i shtohet edhe paga e trajnerit të ri dhe e stafit të tij, që mund të e rrisë më tej barrën ekonomike, sidomos nëse emri i zgjedhur do të jetë Luciano Spalletti, një trajner me kërkesa të larta financiare.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta