“Kam kallëzuar një dosje të një anëtari të partisë tuaj”/ Balla: Koha e paraburgimit duhet riparë

27/10/2025 16:47

Kuvendi ka nisur seancën e radhës plenare, e cila pritet që të jetë maratonë për shkak të raportimit të institucioneve të drejtësisë.

Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, u ndal te Reforma në Drejtësi, duke thënë se mazhoranca nuk është penduar për votën në vitin 2016, por shtoi se koha paraburgimit duhet riparë.

“Shqipëria jonë e përbashkët ka bërë hapa tejet pozitivë. Nuk më pëlqejnë krahasimet statistikore për një fenomen siç janë vrasjet. 2023-shi shënon numrin më të ulët të numrit të vrasjeve, vetëm 35. Viti juaj i fundit në qeverisje, po marr 2012, ka qenë 124 vrasje. Pra, 4 herë pothuajse ka rënë numri i vrasjeve nga viti 2012 në vitin 2024. As unë, as ministrja, as kryeministri nuk jemi asnjëherë të kënaqur me rezultatet.

A ka në Policinë e Shtetit nga ata që e tradhtojnë uniformën e Policisë së Shtetit, as se vë në diskutim.

Gjatë vitit 2024 dhe gjatë 2025, Shqipëria ka ekstraduar nga Dubai më shumë se çdo vend tjetër në Europë. Shqipëria ka ditur të ketë rezultate.

E vërteta është që Prokuroria e Posaçme është pjesa më e suksesshme e reformës në drejtësi. Ne si PS, asnjëherë e për asnjë rast, nuk hymë në çështjet e drejtësisë, aq më tepër kur drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e vet.

Unë jam kallëzues i një dosjeje për një anëtar të partisë tuaj. Nuk kam folur dhe nuk do të flas derisa të gjitha instancat e drejtësisë të flasin.

Ne nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi asnjëherë si puna juaj që vini këtu dhe na kujtoni çdo ditë që në korrik të 2016 keni ardhur me zor dhe keni votuar me zor. Ne nuk kemi asnjë pendesë për pavarësinë që i kemi dhënë Reformës në Drejtësi.

Gjithashtu, duhet riparë dhe koha e paraburgimit”, tha ndër të tjera Balla.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta