Video/ Emigranti i dënuar për ngacmim seksual lirohet gabimisht nga burgu, arrestohet sërish pas pak ditësh

26/10/2025 18:09

Një emigrant i cili u lirua gabimisht nga burgu pasi ishte arrestuar për ngacmim seksual ndaj një të miture, është kapur përsëri në veri të Londrës pas një ndjekjeje nga policia metropolitane.

Bëhet fjalë për Hadush Kebatu, i cili ishte liruar gabimisht nga burgu në Chelmsford të premten, dy ditë pas dënimit të tij. Kebatu kishte qenë i dënuar muajin e kaluar për sulm seksual ndaj një vajze 14-vjeçare dhe një gruaje, dhe duhej të deportohej pas vuajtjes së dënimit.

Policia Metropolitane njoftoi se arrestimi ndodhi pas denoncimeve të disa dëshmitarëve, të cilët e panë Kebatun pranë një stacioni autobusi. Ai u arrestua qetësisht, pa rezistencë, dhe tashmë do të mbahet në burg në Londër para deportimit.

Sekretari i Drejtësisë, David Lammy, tha se Kebatu do të deportohet gjatë kësaj jave dhe se do të nisë një hetim i pavarur për të zbuluar se si ndodhi lirimi i gabuar. Ai shtoi se incidenti tregon nevojën për kontrolle më të rrepta në burgje dhe për të parandaluar gabime të ngjashme në të ardhmen.

Shërbimi i Burgjeve  ka pezulluar një oficer dhe po kryen hetime për rastet e tjera të lirimeve të gabuar. Raportet tregojnë se gjatë vitit të fundit, 262 të burgosur janë liruar gabimisht në Angli dhe Uells, duke treguar presionin dhe mungesën e stafit në sistemin e burgjeve.

Ky incident ka ngjallur reagime të shumta nga politikanë dhe publiku, duke përfshirë kërkesa për hetim kombëtar dhe masat për të siguruar që personat e rrezikshëm të mos lirohen pa kontroll të duhur.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta