“Heronjtë e Kharkivit/ Shpëtuan 48 fëmijë gjatë një sulmi rus, gjenerali ukrainas: Janë sfida që duhen kaluar për të fituar
Kryeministri polak Donald Tusk ka deklaruar se Ukraina është e përgatitur të vazhdojë luftën kundër Rusisë edhe për dy ose tre vite të tjera, por në Kiev ekziston shqetësimi se konflikti mund të zgjasë deri në një dekadë.
Në një intervistë për The Sunday Times, Tusk paralajmëroi se Britania e Madhe do të ishte në vijën e parë të zjarrit nëse Rusia do të sulmonte ndonjë vend të NATO-s, duke kritikuar “mungesën e shqetësimit publik” për sigurinë kombëtare në Londër.
“Presidenti Zelensky më tha se shpreson që lufta të mos zgjasë dhjetë vjet, por Ukraina është gati të luftojë edhe dy ose tre vjet të tjera,” tha Tusk.
“Nuk kam dyshim se Ukraina do të mbijetojë si shtet i pavarur – pyetja është sa viktima do të ketë.”
Rusia në krizë, por më agresive
Sipas Tusk, ekonomia ruse është në gjendje të rëndë dhe “nuk ka shanse të mbijetojë në afat të gjatë”, sidomos pas sanksioneve të reja ndaj naftës nga SHBA. Megjithatë, ai paralajmëroi se kjo situatë mund ta bëjë Vladimir Putinin edhe më agresiv.
Tusk vuri në dukje se shërbimet polake të sigurisë zbulojnë çdo javë tentativa sabotimi të orkestruara nga Rusia, ndërsa teknologjia moderne e raketave ruse paraqet rrezik për çdo kryeqytet evropian, përfshirë Londrën.
“Nëse Rusia vendos raketat e saj hipersonike në Bjellorusi ose Kaliningrad, çdo qytet evropian mund të jetë në shënjestër. Askush nuk është i sigurt,” tha ai.
“Fund i epokës së iluzioneve” në Evropë
Duke folur për sfidat e mëdha të Evropës, Tusk tha se kontinenti po përballet me fundin e epokës së iluzioneve, ku siguria dhe paqja nuk mund të merren më si të mirëqena.
Ai kritikoi disa liderë evropianë që flasin për “rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë”, duke paralajmëruar se çdo marrëveshje me Putinin “nuk vlen as bojën me të cilën nënshkruhet”.
“Jemi në një kohë kur politika nuk mund të bazohet më vetëm në ëndrra. Duhet të përballemi me realitetin,” tha Tusk.
Migracioni dhe rënia demografike, kërcënime për Perëndimin
Kreu i qeverisë polake përmendi gjithashtu migracionin e paligjshëm dhe krizën demografike si rreziqe madhore për Perëndimin. Ai kërkoi reformimin urgjent të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke thënë se disa vendime të gjykatave pengojnë dëbimin e kriminelëve të rrezikshëm.
Sa i përket rënies së lindjeve, Tusk pranoi se politikat financiare për nxitjen e lindjeve “nuk po funksionojnë”, pasi problemi është “më shumë kulturor sesa ekonomik”.
Polonia në ngritje, Brexit një “gabim historik”
Tusk theksoi se Polonia po i afrohet standardeve të jetesës në Britani dhe se brenda pak vitesh mund ta tejkalojë atë. Ai e quajti Brexit-in “një nga gabimet më të mëdha në historinë e përbashkët evropiane”, duke shtuar se vendi i tij humbi një aleat të rëndësishëm në Bashkimin Evropian.
“Kur Polonia ëndërronte anëtarësimin në BE, Britania ishte simbol i lirisë dhe demokracisë. Është paradoksale që sot, ajo është jashtë Unionit,” tha Tusk.
Në fund, ai paralajmëroi se Europa duhet të përgatitet për një epokë të re konfrontimesh, ku mbijetesa do të varet nga gatishmëria për të sakrifikuar.
“Nuk mund të fitosh një luftë nëse nuk je gati të luftosh,” përfundoi ai.
Top Channel