Donald Trump nis turin aziatik, merr pjesë në marrëveshjen e paqes mes Tailandës dhe Kamboxhias. Pritet me padurim takimi me Xi Jinping

26/10/2025 08:36

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nisur udhëtimin e tij diplomatik në Azi, i cili pritet të përfshijë disa takime me liderë të rëndësishëm të rajonit.

Pas një ndalese të shkurtër për furnizim me karburant, gjatë së cilës u takua me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump mbërriti në Malajzi, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes midis Tajlandës dhe Kamboxhias.

Sipas agjendës zyrtare, Presidenti amerikan do të udhëtojë më pas drejt Japonisë dhe Koresë së Jugut, ku të enjten pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping. Trump ka shprehur gjithashtu dëshirën për të zhvilluar një takim edhe me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, gjatë qëndrimit në rajon.

Në një zhvillim paralel, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump ka vendosur të rrisë me 10% tarifat ndaj Kanadasë, si përgjigje ndaj “reklamave mashtruese” që sipas tij sulmojnë politikat tregtare të administratës amerikane.

Reklama, e financuar nga qeveria e Ontarios, kishte ripublikuar një fjalim të vjetër të ish-presidentit Ronald Reagan, në të cilin kritikohej vendosja e tarifave që dëmtojnë ekonominë — një mesazh që u interpretua si kritikë ndaj politikës proteksioniste të Trump.

Vizita e presidentit amerikan në Azi shihet si përpjekje për të forcuar ndikimin diplomatik të SHBA-së në rajon dhe për të çuar përpara një sërë marrëveshjesh ekonomike e strategjike me aleatët aziatikë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta